Kosova kërkon fitore ndaj Andorrës, Foda: Nuk do të jetë ndeshje e lehtë

Prishtinë | 06 Qer 2026 | 11:19 | Nga Ekonomia Online

Kombëtarja e Kosovës në futboll synon fitore në ndeshjen miqësore ndaj Andorrës, ndërsa atmosfera në ekip u vlerësua shumë pozitive nga përzgjedhësi Franco Foda dhe mbrojtësi Mërgim Vojvoda në konferencën për media para takimit, raporton Ekonomia Online.

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, tha se ekipi është i përgatitur për përballjen ndaj Andorrës dhe se synimi kryesor mbetet fitorja dhe paraqitja sa më e mirë në këtë ndeshje.

“Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Tani kemi pasur disa faza pak më të gjata, lojtarët dy ditë i kanë pasur të lira. Tani çka është shumë me rëndësi është që t’i bashkojmë forcat dhe të paraqitemi mirë nesër kundër kundërshtarit. Qëllimi ynë kryesor është që ta fitojmë këtë ndeshje, por do t’i shërbejë edhe Ligës së Kombeve. Do të luajmë me lojtarët më të mirë, do të bëjmë përzgjedhjen, nuk do të jetë një ndeshje e lehtë”, tha ai.

Mbrojtësi i Kosovës, Mërgim Vojvoda, tha se çdo paraqitje me fanellën e Kosovës ka rëndësi të veçantë dhe se nuk ka pasur vështirësi për dy ndeshjet e këtij grumbullimi.

“Të gjitha lojërat me kombëtaren janë të rëndësishme, për mua çdo lojë e ka rëndësinë e vet. Për mua nuk ka pasur asnjë vështirësi për këto dy ndeshje”, tha ai.

Ai foli edhe për lojtarët e rinj që i janë bashkuar Kombëtares, duke thënë se janë përshtatur shumë shpejt me grupin.

“Atmosfera është shumë e mirë, lojtarët janë adaptuar shumë shpejt. Ka një energji të re dhe dëshirë për të arritur kualitetin e kombëtares në grup”, tha ai.

Në këtë konferencë menaxheri i kombëtares, Bajram Shala, ka konfirmuar tri mungesa të rëndësishme në radhët e Kosovës.

“Aro Muric është liruar nga grumbullimi, ndërsa edhe Amir Saipi dhe Rilind Nivokazi janë liruar për arsye personale,” u shpreh Shala.

Të ngjashme