Mesazhi i Kurtit pas votimit: Uroj që zgjedhjet e ardhshme të jenë pas katër vitesh

Prishtinë | 07 Qer 2026 | 09:48 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti pasi ka hedhur votën e tij ën Fakultetin Juridik në Prishtinë, ka thënë se uron që në këtë vend të njëjtë të shihen pas katër vitesh, raporton Ekonomia Online.

“Uroj që për zgjedhje parlamentare këtu të shihemi pas katër vitesh”, tha Kurti.

Kurti tutje ka thënë se sa më e madhe pjesëmarrja në zgjedhje aq më  legjitim është stabiliteti politik.

“Sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme. E diel me diell. Unë para se të vij këtu, në Fakultetin Ekonomik e Juridik të Universitetit të Prishtinës, e vërtetova në uebfaqen e Komisionit Qendror Zgjedhor se a e kam saktësisht këtu sikurse herën e kaluar vendvotimin, dhe vetëm kur u konfirmua kjo gjë, u nisa. Prandaj i sugjeroj të gjithë qytetarët e Republikës që paraprakisht ta kontrollojnë vendvotimin dhe atëherë kur ta verifikojnë që e kanë aty ku kanë menduar, të nisen në këtë ditë kaq të rëndësishme për institucionet e Republikës së Kosovës, për qeverisjen në vazhdim dhe gjithashtu për mbarëvajtjen e Republikës. Sa më e lartë të jetë dalja e qytetarëve në zgjedhje, aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve dhe aq më solid stabiliteti i tyre”, ka deklaruar Kurti.

“Sot vendosin ata që votojnë, prandaj edhe u bëj thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike, ta përdorin mundësinë qytetare, të përcaktohen për përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Republikës në legjislaturën e 11-të”, ka shtuar ai.

Të ngjashme