Procesi zgjedhor në Kosovë po zhvillohet qetë dhe pa pengesa serioze, ndërsa deri në orën 15:00 kanë votuar mbi 445 mijë qytetarë apo 22.74 për qind e votuesve me të drejtë vote, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se sipas të dhënave nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, qendrat e votimit janë duke funksionuar normalisht në të gjithë vendin dhe raportimet e deritanishme kanë qenë kryesisht të natyrës teknike.
Radoniqi tha se procesi zgjedhor nuk është cenuar nga asnjë incident që do të pengonte mbarëvajtjen e votimit.
“Sipas të dhënave të fundit nga Komisionet Komunale, qendrat e votimit po funksionojnë normalisht në të gjithë vendin. Në dhomën operative jemi duke pranuar vazhdimisht raportime të ndryshme nga Qendrat e Votimit dhe duke u mbështetur në natyrën e këtyre raportimeve, të cilat janë kryesisht çështje teknike, procesi zgjedhor po zhvillohet qetë dhe pa asnjë pengesë që do të mund të cenonte mbarëvajtjen e rregullt të këtij procesi zgjedhor”, tha ai.
Ai bëri të ditur se deri në orën 15:00 kanë votuar 445 mijë e 622 qytetarë, që përbëjnë 22.74 për qind të trupit votues.
“Po ashtu, duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga mbi 98% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 445 mijë e 622 votues apo 22,74% nga 1 milionë e 959 mijë e 962 votues”, tha ai.
Radoniqi krahasoi daljen në votime me zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025, kur pjesëmarrja kishte qenë më e lartë në të njëjtën kohë.
“Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, kishin votuar 29.29% apo 585 mijë e 635 votues nga 1 milionë e 999 mijë e 204 votues”, tha ai.
Lidhur me raportimet se disa qytetarë kanë tentuar të votojnë me dokumente të skaduara, Radoniqi tha se KQZ-ja nuk do të lejojë raste të tilla.
“Nuk do të lejohen raste të tilla”, tha ai, duke bërë të ditur se informacionin e kanë marrë nga konferenca e DNV-së.
Ai është pyetur edhe për shqetësimet e ngritura për fshirjen e ngjyrës në gisht, e cila vendoset për të identifikuar ata që kanë votuar.
Radoniqi ka thënë se atij personalisht nuk i është fshirë, ndërkohë që ka thënë se ka edhe siguresa të tjera brenda procesit të votimit, sikurse vendosja e nënshkrimit, që pamundëson votimin e dyfishtë.
Ai është shprehur se nuk beson që do të ketë përpjekje për votim të dyfishtë.
“Mua për veti nuk mu ka fshi. Tash ndoshta varet sa ta vendosin në gisht dhe kur tenton me e fshi, kur është e njomë mundet me u fshi, por ka edhe siguri të tjera përvec shenjës në gisht, që janë nënshkrimet. S’besoj që do të ketë përpjekje për votim të dyfishtë”, ka thënë Radoniqi.
