Kërkohet paraburgim ndaj dy serbëve që ushtronin presion për të votuar Listën Serbe

Prishtinë | 08 Qer 2026 | 14:12 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave të arrestuar gjatë ditës së zgjedhjeve, të cilët dyshohen për veprën penale “Marrja ose dhënia e ryshfetit lidhur me votimin”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Departamenti i Krimeve të Rënda ka paraqitur kërkesën për paraburgim ndaj dy të dyshuarve, të cilët sipas hetimeve fillestare dyshohet se kanë kryer veprën penale në fshatin Gorazhdevc të komunës së Pejës.

“Sipas dyshimeve fillestare, të ndaluarit kanë kryer veprën penale të lartcekur në fshatin Gorozhdevc të komunës së Pejës, pas së cilës janë arrestuar nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Rasti lidhet me arrestimin e dy personave gjatë procesit zgjedhor, për të cilët Policia e Kosovës kishte njoftuar se dyshoheshin për ndikim në vota në favor të Listës Serbe.

Prokuroria ka bërë të ditur se, në koordinim me organet e zbatimit të ligjit, do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe sigurimin e provave relevante.

“Prokuroria mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor, ruajtjen e votës së lirë të çdo qytetari dhe zbatimin e ligjit ndaj çdo personi që cenon proceset demokratike”, thuhet më tej në njoftim.

Të ngjashme