Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur se Vendimi i Qeverisë së Kosovës, i datës 28 gusht 2024, për ndërtimin e Kompleksit “Qendra Rezidenciale e Kosovës për autizëm, sindromë down dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë”, është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar, Gjykata vendosi që: (i) ta
deklarojë, njëzëri, kërkesën të pranueshme; dhe (ii) të konstatojë, me gjashtë (6) vota për
dhe një (1) kundër, se Vendimi [Nr.05/218] i 28 gushtit 2024 i Qeverisë së Republikës së
Kosovës është në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafin 1 dhe
3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafin 2 dhe 4 të nenit 124 [Organizimi dhe
Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe (iii) të
konstatojë, me gjashtë (6) vota për dhe një (1) kundër, që Vendimi i Gjykatës për vendosjen e
masës së përkohshme, i 31 korrikut 2025, dhe vendimet për vazhdimin e masës së
përkohshme, të 21 tetorit 2025 dhe 28 janarit 2026, shfuqizohen”, thuhej në njoftim.
Vendimi u mor në kuadër të rastit, pas kërkesës së Komunës së Graçanicës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit qeveritar, përmes të cilit disa parcela komunale parashiheshin të kalonin në pronësi të Republikës së Kosovës për realizimin e projektit në interes publik.
Gjykata e shpalli kërkesën të pranueshme, por me gjashtë vota për dhe një kundër konstatoi se vendimi i Qeverisë nuk cenon kompetencat kushtetuese të komunave dhe është në pajtim me dispozitat kushtetuese që rregullojnë pushtetin lokal dhe vetëqeverisjen lokale. Po ashtu, Gjykata shfuqizoi masat e përkohshme që kishin pezulluar zbatimin e vendimit.
Komuna e Graçanicës kishte pretenduar se Qeveria kishte vepruar pa konsultim me komunën, se bartja e parcelave ishte e paligjshme dhe se projekti mund të kishte ndikim negativ në mjedis. Megjithatë, Gjykata vlerësoi se asnjëra nga palët nuk e kishte kontestuar ekzistimin e interesit publik për ndërtimin e qendrës dhe se projektet alternative të përmendura nga komuna nuk ishin realizuar.
Sipas aktgjykimit, Ligji për Pronën Publike i jep përparësi interesit publik në rastet e bartjes së pronës publike, ndërsa komunat janë të obliguara të bashkëpunojnë me pushtetin qendror për realizimin e projekteve me interes të përgjithshëm.
Gjykata theksoi se autonomia lokale, megjithëse e garantuar me Kushtetutë, nuk është absolute dhe duhet të ushtrohet në përputhje me ligjet në fuqi. Sipas saj, ndërtimi i Qendrës Rezidenciale do të kontribuojë në mbrojtjen sociale dhe në avancimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, në përputhje me obligimet kushtetuese dhe ndërkombëtare të Kosovës.
Me këtë vendim, i hapet rruga realizimit të projektit, i cili synon të ofrojë shërbime rezidenciale dhe mbështetje për persona me nevoja të veçanta nga e gjithë Kosova.