Ministria e Punëve të Brendshme po planifikon masa ligjore rigoroze lidhur me përdorimin e trotineteve elektrikë. Pançe Toshkovski tha se ai madje do të pëlqente ndalimin e tërësishëm të trotineteve, pavarësisht moshës apo rrethanave të tjera.
“Nëse unë pyetem personalisht, do t’i ndaloja trotinetët elektrikë që të përdoren në Maqedoni. Por do të lë që në korniza të një debati, propozime, të gjejmë një zgjidhje adekuate, duke u nisur nga aspekti i të lënduarve, viktimave, unë do t’i ndaloja tërësisht, pa dallim moshe. Por ministri i punëve të brendshme, nuk është ai që e thotë fjalën e fundit, fjalën e fundit e ka Kuvendi. Gjithsesi se do të konsultohen profesorët, kështu që do të shohim me çfarë propozim zgjidhje do të shkojmë në Kuvend, por gjithsesi se do të jetë më rigoroze nga ajo që e kemi tani sepse momentalisht është jofunksionale”, tha ministri i brendshëm Pançe Toshkovski.
Ai tha se prej sot kanë filluar konsultimet me grupin e ekspertëve të cilët po punojnë për propozim ndryshime ligjore konkrete me të cilat opinioni do të njoftohet shpejtë, por për një gjë u shpreh i prerë, shteti do të ketë një politikë më rigoroze ndaj këtyre mjeteve.
“Më duhet të konstatoj se trotinetet elektrik çdo ditë paraqesin një sfidë jonormale edhe për MPB-në edhe në përgjithësi për shoqërinë në Maqedoni.. Sepse pasojat nga drejtimi i tyre, veçanërisht drejtimi joadekuat, pra pa kapela mbrojtëse, pa pajisje dhe në korniza të infrastrukturës që e kemi që është fakt se është joadekuate për drejtim të atij lloji mjetesh, vërtetë pasojat janë të tmerrshme dhe na duhet të veprojmë në atë pjesë“, nënvizoi Toshkovski.
Vetëm gjatë vitit të kaluar kanë ndodhur 147 aksidente me trotinetë. Rasti i fundit me pasoja fatale ishte ai i 13 vjeçarit nga Çerkezi i Kumanovës, i cili po drejtonte trotinet, derisa u godit për vdekje nga një makinë./Alsat/