Policia e Kosovës ka njoftuar se ka realizuar me sukses transferimin e një shtetasi kosovar nga Shqipëria në Kosovë, për vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit me burg.
Sipas njoftimit zyrtar, transferimi është kryer nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë. Procedura është realizuar përmes pikës kufitare në Morinë.
I transferuari ishte dënuar nga autoritetet shqiptare me pesë vjet burgim për veprën penale “trafikim i armëve dhe municionit”. Pas transferimit në Kosovë, ai i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës për të vazhduar vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit, pasi një pjesë të tij e kishte kryer në Shqipëri.
Policia bëri të ditur se transferimi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi, marrëveshjet dypalëshe dhe bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
Në njoftim thuhet se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin, arrestimin dhe sjelljen para drejtësisë të personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.