Sulmuesi brazilian Neymar ka thënë se ndihet “si fëmijë” në prag të pjesëmarrjes së tij të katërt dhe të fundit në Kupën e Botës, ndonëse prania e tij në turne mbetet e pasigurt për shkak të një dëmtimi në pulpën e djathtë.
Deklaratat ai i ka dhënë në një seri dokumentare braziliane.
“Edhe pse kjo është Kupa ime e katërt e Botës, ndjesia është ndryshe për shkak të gjithçkaje që ajo përfshin dhe, sigurisht, është e fundit”, shpjegon Neymar në një fragment të dokumentarit “Vai, Brasil”.
“Jam këtu si një fëmijë, si një 18-vjeçar që shkon në Kupën e tij të parë të Botës”, thekson futbollisti i Santos në dokumentar.
Në moshën 34-vjeçare, Neymar vazhdon rikuperimin muskulor, vetëm pak ditë para ndeshjes së parë të Brazilit kundër Marokut në Grupin 3 të turneut që zhvillohet në Nju Xhersi.
Sipas Federatës Braziliane të Futbollit, golashënuesi më i mirë në historinë e Brazilit ka treguar përmirësim nga dëmtimi i pësuar më 17 maj, por ende nuk është stërvitur me ekipin.
Për shkak të mungesës së ritmit të ndeshjeve, mungesa e tij në sfidën ndaj Marokut konsiderohet e sigurt, ndërsa ai mund të bëjë debutimin në ndeshjen e dytë kundër Haitit më 19 qershor.
Pavarësisht problemeve fizike që kanë ndikuar në vitet e fundit, trajneri Carlo Ancelotti e ka përfshirë në listën prej 26 lojtarësh të Brazilit për Kupën e Botës.
“Jam shumë krenar, shumë i lumtur që jam këtu. Do të shijoj çdo sekondë, çdo moment të këtij Botërori dhe shpresoj që të jetë gjithashtu i veçantë”, u shpreh Neymar.
Ai ka marrë pjesë në të gjitha Botërorët që nga viti 2014, ndërsa Brazili nuk e ka fituar trofeun që nga viti 2002. Paraqitja më e mirë e Neymarit mbetet ajo e vitit 2014, kur Brazili u eliminua pas humbjes 7–1 ndaj Gjermanisë në gjysmëfinale, ndeshje në të cilën ai nuk luajti.