Sot u mbajt Konferenca Ndërkombëtare “Urat e Kujtesës: Pajtim dhe Drejtësi Tranzicionale në Shoqëritë Pas Konfliktit, Diplomacia, Kujtesa dhe Interpretimi Historik”, raporton Ekonomia Online.
Ismail Tasholli nga Platforma “Liria ka emër” tha se populli mjafton të jetë i hutuar rreth së vërtetës dhe kontrollohet nga shumësia e informacionit.
“Sot nuk është e domosdoshme që njerëzit me qenë veç të përçarë. Mjafton me qenë të hutuar që pushteti me i mirëmbajt agjendat “private”. Mjafton mos me qenë të sigurt se çka janë faktet, të vërtetat e çka është e rreme. Mjafton me u përmbyt prej një lumi të pafund informacioni, ku faktet, opinionet, propaganda dhe spektakli përzihen në një rrjedhë të vetme. Në këtë realitet të ri, qytetari nuk kontrollohet duke ia ndaluar informacionin, por duke i dhanë aq shumë informacion sa me e humb aftësinë për me dallu atë që ka rëndësi. Atë që e thoshte Heideggeri, kalimi i shoqnive prej interesit te interesantja. Nuk jetojmë ma në epokën e censurës klasike. Jetojmë në epokën e mbingarkesës, overdozës informative. Rreziku nuk është më mungesa e informacionit, por teprica e tij. Kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me ndryshimin e dytë të madh. Bacon besonte se dija prodhonte pushtet. Dhe kishte të drejtë për kohën e tij. Por sot informacioni gjendet kudo. Në telefonin që e mbajmë në xhep kemi ma shumë informacion sesa kishin bibliotekat ma të mëdha të botës para disa shekujsh. Megjithatë, nuk duket se jemi bërë shumë më të mençur.”, tha ai.
Tasholli u shpreh se pushteti qëndron te aftësia për të kapur dhe kontrolluar vëmendje, jo vetëm te zotërimi i dijes.
“Prandaj pushteti nuk qëndron më veç te zotërimi i dijes. Pushteti qëndron te aftësia për me e kapë dhe kontrollu vëmendjen. Kush e kontrollon vëmendjen tonë, e kontrollon mënyrën se si mendojmë, çka ndjejmë, për çka zemërohemi dhe për çka heshtim. E kontrollon qenësimin tonë. Në epokën ku të vërtetat janë ba të mërzitshme, kemi shumë nevojë për laryshi perspektivash që me iu ikë dogmave, atyne terreneve ku përfundon tjetri. Kemi nevojë për dialog. Apo siç e përdorim na këtu idiomën: “me ndrru naj llaf”. Por mrena disa parimeve që ende ju besojmë se shënjojnë humanen.”, shtoi ai.
Ndërsa, Daniel Serwer, analist amerikan i politikës së jashtme tha se nuk mund të kërkohet pajtim nga ata që përjetuan dhunën dhe se duhet të ndërtohen ura për të ardhmen më të mirë, jo për të kaluarën.
“Gjykatat qe kërkojnë reagimin e shqiptarëve, ata duhet të kthehen në vendin e vet. Kujtesat nuk janë bërë urë, drejtësia nuk është tranzicionale. Nuk mund të kërkojnë nga ata që kanë përjetuar dhunë qe të pajtohen. Unë mendoj se duhet të ndërtohen ura për një të ardhme më të mirë, e jo për të kaluarën. Në Kosovë ekziston ndarje fizike. Prandaj kam një propozim, mendoj se Kosova po të ofronte arsim ndërkombëtar, nga çerdhja deri në universitet, do ti mësonin se arsimi në gjuhën ndërkombëtare do t’ua bënte një të ardhme. Do të kishte probleme, por fëmijët do ta mësonin gjuhën e njëri-tjetrit. Por duhet marr parasysh se njerëzit janë të drejtë për kërkesat e tyre personale, por duhet të ndajnë të ardhmen së bashku me njëri-tjetrin.”, tha Serwer.



