Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, ka thënë se gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Hagë është i padrejtë, raporton Ekonomia Online.
Këto komente, Bajrami i bëri në konferencën shkencore, “Krimet e forcave serbe në Komunën e Vushtrrisë dhe rezistenca e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës 1998-1999”, e cila u organizua me rastin e Ditës së Çlirimit të kësaj komune.
“Do të ndalem në disa momente. E para, do të doja të ndalem në një analizë juridike, çfarë ka ndodhur në Kosovë? Kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit, krime të gjenocidit.
Pastaj, kanë qenë këto krime klasike, apo ka qenë një projekt shtetëror serb për shfarosjen masive të shqiptarëve? Do të ndalem pak te tendencat e relativizimit dhe mohimit të krimit, që i kemi aktuale sot, dhe në fund do të fokusohem pak te tendencat për ta rishkruar historinë e Kosovës, për ta demonizuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si një reflektim ndaj një gjykimi të padrejtë, politik, që po bën Gjykata Speciale ndaj udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kjo nuk është gjykim ndaj individit, por është gjykim ndaj një populli, shtetit, i cili ka qenë i sulmuar në këtë rast”, tha Bajrami.
Ai tha se shteti fqinj në veri të Kosovës, Serbia kishte plan shfarosjen e popullit shqiptar.
“Në aspektin juridik, jurisprudencën penale dhe të drejtës ndërkombëtare, konventat ndërkombëtare, në Kosovë kanë ndodhur të gjitha llojet e krimeve. Kanë ndodhur krime lufte, kanë ndodhur krime kundër njerëzimit, ka ndodhur krimi i gjenocidit. Dhe kjo nuk është vështirë për t’u argumentuar sepse krimet nuk maten gjithmonë me numër të tmerrshëm, por maten me një qëllim politik, i cili është. Dhe ne e dimë që Serbia pas përfundimit të luftërave të tjera, luftës në Slloveni, luftës në Kroaci dhe në Bosnjë, ishte fokusuar te shfarosja e shqiptarëve sepse urrejtja e serbëve ndaj shqiptarëve është një urrejtje historike dhe mitologjike, mitologjike, dhe ne i dimë planet e vjetra serbe, planet më shumë se 200-300 vjeçare, planet për shfarosjen masive të shqiptarëve. Dhe, në fakt, është menduar se shpërbërja e ish-Jugosllavisë duhet të fillojë me luftën në Kosovë. Në fakt, edhe planet serbe, edhe vetë Sllobodan Millosheviqi ka thënë aq e thjeshtë: “Lufta në Kosovë, apo nga kasapi i Ballkanit, fillimi ka qenë që gjithçka filloi në Kosovë dhe gjithçka mbaroi me Kosovën”, tha Bajrami.

