Aktori i njohur i Hollywoodit, Macaulay Culkin, ka shënuar 9-vjetorin e lidhjes me partneren e tij Brenda Song, duke e kthyer këtë moment në një reflektim emocional për jetën e tyre së bashku.
Në një postim në Instagram, Culkin ka treguar se kjo është një nga ditët më të veçanta për të, duke theksuar se jeta e tij ka ndryshuar përgjithmonë që nga momenti kur është bërë pjesë e jetës së Brendës.
Ai ka shkruar se ndihet me fat që prej nëntë vitesh zgjohet pranë saj dhe se çdo ditë me të është një bekim i vërtetë.
Aktori ka shtuar gjithashtu një mesazh emocional, duke pranuar se e vetmja gjë që i vjen keq është fakti se nuk kanë pasur më shumë kohë së bashku.
Në postimin e tij, falënderon partneren për dashurinë dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke e quajtur atë personin më të rëndësishëm në jetën e tij.
Historia e tyre e dashurisë filloi pas njohjes së hershme në vitin 2013, ndërsa lidhja romantike u forcua disa vite më vonë gjatë xhirimeve të filmit “Changeland”.
Çifti më pas e zyrtarizoi marrëdhënien e tyre dhe në vitin 2022 u fejuan.
Sot, ata janë prindër të dy djemve dhe konsiderohen një nga çiftet më të qëndrueshme dhe më të dashura të Hollywood-it, shpesh duke ndarë momente familjare dhe mbështetje të ndërsjellë në karrierat e tyre.