Në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës është përuruar “Oda e Zejtarëve”, një projekt i dedikuar promovimit të zejeve tradicionale dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, përmes një postimi në Facebook, ku ka theksuar rëndësinë e këtij investimi për komunitetin dhe zhvillimin kulturor.
“Sot, në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës, përuruam Odën e Zejtarëve – një projekt i veçantë për qytetin dhe trashëgiminë tonë kulturore”, ka shkruar Gjini.
Sipas tij, nga ky projekt do të përfitojnë drejtpërdrejt zejtarët e komunës, të cilët tashmë do të kenë një hapësirë të dedikuar për promovimin e zejeve tradicionale, ndërsa të rinjtë dhe vizitorët do të kenë mundësi ta njohin më afër këtë trashëgimi.
“Ky investim është realizuar në kuadër të projektit ‘Ndërlidhja e turizmit përmes trashëgimisë kulturore dhe zgjidhjeve inteligjente në Lezhë dhe Gjakovë’, i financuar nga Programi IPA Cross-Border Shqipëri – Kosovë”, ka theksuar ai.
Gjini ka deklaruar se synimi i qeverisjes komunale mbetet zhvillimi i turizmit dhe fuqizimi i ofertës kulturore të Gjakovës përmes projekteve konkrete dhe bashkëpunimit me komunitetin dhe partnerët ndërkombëtarë.