Kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci ka njoftuar se kanë formuar grupin e vullnetarëve që përmes aktiviteteve dhe prezencës fizike do të kontribuojnë në uljen e potencialit të rrezikut të përfshirjes nga zjarri në Kodrën e Cërrnushës e cila në dhjetë vitet e fundit ka qenë vatër e përfshirjes së zjarrit.
Peci, përmes një video të publikuar në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka thënë se edhe vet do të jetë njëri nga vullnetarët që disa ditë do t’i kalojë në këtë lokalitet në mënyrë që të parandalojnë siç ka thënë ai me të keqën për natyrën.
Postimi i tij i plotë;
“Jam në Kodrën e Cërrnushes njëra prej lokaliteteve qe fatkeqësisht në dhjetë vitet e fundit ka qenë vatër e përfshirjes nga zjarri. Si rezultat i zjarrit tepër të madh që e ka kapluar Cërrnushën dhe lokalitetet përreth vitin e kaluar fatkeqësisht dëmet kanë mbetur, drunjtë janë tharë dhe rreziku është edhe më i lartë këtë vit që ne të përfshihemi nga zjarret. E ne kemi vendosur që mos të qëndrojmë duarkryq duke themeluar grupin e vullnetarëve që përmes aktiviteteve dhe prezencës fizike do të kontribuojnë në uljen e potencialit të rrezikut të përfshirjes nga zjarri”, ka thënë ai.
“Si kryetar i Mitrovicës do të jem njëri nga vullnetarët që disa ditë e net do ti kalojë bashkë me vullnetarët e tjerë në këtë lokalitet në mënyrë që të parandalojmë më të keqen për natyrën dhe për komunën tonë’, ka shtuar ai.