Komuna e Ferizajt ka reaguar ndaj, siç i quan ajo, dezinformatave dhe interpretimeve tendencioze të publikuara ditëve të fundit në disa media sociale dhe nga individë me prapavijë politike, lidhur me gjetjet e Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për menaxhimin e disa kontratave publike.
Në reagimin e saj, komuna vlerëson se raportimi i bërë për këtë çështje është shoqëruar me “keqkuptim të qëllimshëm” dhe me synim të krijimit të një pasqyre joreale për institucionin komunal.
“Ditëve të fundit, në disa kanale mediale në rrjete sociale, si dhe nga individë që përfaqësojnë ngjyrime politike të caktuara, janë lansuar dezinformata duke krijuar keqkuptim të qëllimshëm me synim zhvillimin e sulmit propagandistik ndaj Komunës së Ferizajt, referuar Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Ferizajt, veçanërisht në pjesën e lidhjes dhe menaxhimit të disa kontratave publike, ku plotësisht në interpretime të paqëndrueshme, joprofesionale e tendencioze, konkludohen tituj bombastik me qëllim që ta paraqesin një pasqyrë joreale për Komunën e Ferizajt”, thuhet në reagim.
Komuna sqaron se projektet për të cilat është ngritur çështja nuk kanë qenë të planifikuara në kohën e hartimit të planit të prokurimit, pasi financimi i tyre është siguruar më vonë gjatë vitit fiskal përmes marrëveshjeve dhe memorandumeve të mirëkuptimit me ministritë përkatëse.
“Publikimi i Njoftimit Paraprak nuk e obligon AK të bëjë blerjen ose inicimin e aktivitetit nëse rrethanat ndryshojnë, ku në rastin konkret, gjashtë projektet në fjalë nuk kanë qenë të njohura dhe as të financuara në kohën e hartimit të planit të prokurimit, pasi marrëveshjet dhe memorandumet e mirëkuptimit me ministritë përkatëse janë arritur gjatë vitit buxhetor, pas përfundimit të planifikimit të prokurimit. Për këtë arsye, këto projekte nuk kanë mundur të përfshihen në planin e prokurimit”, thuhet më tej.
Sipas komunës, mungesa e njoftimit paraprak nuk përbën shkelje ligjore, pasi nuk kanë ekzistuar kushtet faktike për publikimin e tij përderisa nuk ishte siguruar financimi i projekteve.
“Në rastin konkret, para arritjes së marrëveshjeve me ministritë nuk ka ekzistuar siguri mbi financimin dhe realizimin e projekteve, prandaj nuk kanë ekzistuar kushtet faktike për publikimin e njoftimit paraprak”, theksohet në reagim.
Komuna e Ferizajt shton se për të gjitha projektet janë zhvilluar procedura të hapura të prokurimit, duke respektuar afatet dhe dispozitat ligjore në fuqi.
“Për të gjitha këto projekte janë zhvilluar procedura të hapura të prokurimit në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik dhe rregullat e KRPP-së. Njoftimet për kontratë janë publikuar në platformën e e-Prokurimit dhe kanë qëndruar të hapura për afatin ligjor prej 40 ditësh, duke siguruar transparencë të plotë, konkurrencë efektive dhe trajtim të barabartë për të gjithë operatorët ekonomik”, thuhet në reagim.
Në fund, komuna rithekson se procedurat janë zhvilluar në përputhje të plotë me ligjin dhe se transparenca nuk është cenuar në asnjë rast.
“Prandaj, mos publikimi i njoftimit paraprak nuk ka ardhur si rezultat i mosrespektimit të dispozitave ligjore, por si pasojë e faktit se projektet dhe financimi përkatës janë siguruar gjatë vitit fiskal. Në çdo rast, procedurat e prokurimit janë zhvilluar në përputhje të plotë me kërkesat e Ligjit për Prokurimin Publik, pa cenuar konkurrencën, transparencën apo trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomik dhe të gjitha këto procedura të prokurimit gjenden në platformën elektronike të prokurimit (E-Prokurim)”, përfundon reagimi i Komunës së Ferizajt.