Kurti: Ekspozita “Dalja N’dritë” nderon rezistencën e minatorëve dhe rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë

Prishtinë | 24 Qer 2026 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitës “Dalja N’dritë”, të autorit Hazir Reka, duke vlerësuar se fotografitë e ekspozuara paraqesin momente të rëndësishme të historisë së afërt të Kosovës dhe sakrificën e qytetarëve në rrugën drejt lirisë.

Përmes një postimi, Kurti tha se ekspozita sjell para publikut ngjarje të dokumentuara me përkushtim nga fotografi Hazir Reka, ndërsa e cilësoi atë si një dëshmitar të rëndësishëm të zhvillimeve historike në vend.

“Mbrëmë pata kënaqësinë të marrë pjesë në hapjen e ekspozitës ‘Dalja N’dritë’. Fotografitë e ekspozuara na kthejnë në disa prej momenteve më të rëndësishme të historisë sonë të afërt, të dokumentuara me përkushtim dhe mjeshtri nga fotografi ynë Hazir Reka. Fotografi Reka duket se ka lindur me misionin për evidentimin e ngjarjeve historike. Vet ditëlindja e tij është edhe ditëlindja e një shpërthimi të madh popullor, 11 mars 1981, në ditën kur Kosova u ngritë në këmbë me parullën ‘Kosova Republikë’”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, fotografitë e ekspozuara nuk dokumentojnë vetëm ngjarje historike, por edhe njerëzit që u angazhuan në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të tyre.

“Këto fotografi nuk paraqesin vetëm ngjarje historike. Ato ruajnë fytyrat e njerëzve që qëndruan të palëkundur në mbrojtje të të drejtave të tyre dhe tonat. Në secilin imazh shohim guximin, solidaritetin dhe këmbënguljen e atyre burrave dhe grave që u bënë simbol i qëndresës në Kosovë”, ka theksuar ai.

Kurti veçoi fotografitë që pasqyrojnë protestat e viteve 1988 dhe 1989, si dhe grevën e minatorëve të Trepçës, duke i cilësuar ato si momente kyçe të rezistencës qytetare në Kosovë.

“Fotografitë e ekspozuara na çojnë në vitet 1988 dhe 1989, në kohën e protestave dhe grevave të minatorëve, kur zëri për liri e drejtësi, dinjitet dhe barazi jehonte në gjithë vendin e më gjerë. Para nesh shfaqen pamje nga protestat e vitit 1988, kur minatorët gjithandej vendit u bënë pjesë e një lëvizjeje të gjerë qytetare me demonstrata të fuqishme popullore. E po ashtu, edhe te greva e minatorëve në Stantërg të Trepçës në shkurt të vitit 1989, një nga momentet kyçe të rezistencës së asaj kohe”, ka shkruar Kurti.

Ai tha se ekspozita përbën një nderim për minatorët dhe të gjithë ata që kontribuuan në përpjekjet për liri dhe shtetformim.

“Ekspozita është një nderim për minatorët, për rezistencën e tyre dhe për të gjithë ata që kontribuuan në përpjekjen e gjatë për liri e Republikë. Njëkohësisht, është edhe një shprehje mirënjohjeje për punën e palodhshme të autorit të kësaj ekspozite”, u shpreh Kurti.

Ai ftoi qytetarët që ta vizitojnë ekspozitën, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 4 korrik.

“Të gjithë ata që nuk kanë mundur të jenë pjesë e hapjes së kësaj ekspozite, ajo është e hapur çdo ditë, përveç ditës së diel, nga ora 11:00 deri në 18:00, deri më 4 korrik dhe i ftoj të gjithë ta vizitojnë”, ka shtuar ai.

Të ngjashme