Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar se është rehabilituar një segment i dëmtuar i rrugës në fshatin Slivovë të Ferizajt, i cili sipas tij paraqiste rrezik për sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion.
Përmes një postimi në Facebook, Basha tha se dëmtimi ishte shkaktuar si pasojë e grumbullimit të ujërave në skaj të rrugës, ndërsa institucionet kanë ndërhyrë menjëherë pas pranimit të informatave për gjendjen në terren.
“Si pasojë e grumbullimit të ujërave në skaj të rrugës, është dëmtuar një segment i rrugës në Slivovë, duke paraqitur rrezik për sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion. Menjëherë pas pranimit të informatës, hartuam planin e intervenimit dhe sot e sanuam dëmtimin, duke rikthyer qarkullimin e sigurt në këtë pjesë të rrugës”, ka shkruar Basha.
Ai theksoi se për të shmangur dëmtime të reja në të ardhmen, nevojitet një ndërhyrje nga Komuna e Ferizajt për mirëmbajtjen e kanalit të ujërave përgjatë rrugës.
“Për të parandaluar dëmtime të mëtejshme, është jetike që Komuna e Ferizajt të ndërhyjë urgjentisht në hapjen dhe mirëmbajtjen e kanalit për largimin e ujërave. Kjo do të mundësojë rrjedhjen normale të tyre dhe do të shmangë dëmtimin e mëtejmë të trupit të rrugës”, ka theksuar ai.
Ministri në detyrë ka falënderuar gjithashtu qytetarët për mirëkuptimin e treguar gjatë zhvillimit të punimeve.
“Falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin dhe durimin e treguar gjatë realizimit të punimeve në këtë segment rrugor”, ka përfunduar Basha.
Sipas njoftimit, ndërhyrja ka mundësuar rikthimin e qarkullimit të sigurt në këtë pjesë të rrugës, ndërsa mbetet të shihet nëse Komuna e Ferizajt do të ndërmarrë hapat e kërkuar për zgjidhjen e problemit me largimin e ujërave.