200 mijë euro nga investimet kapitale përfundojnë në paga jubilare e shujta në Deçan

Prishtinë | 25 Qer 2026 | 17:06 | Nga Ekonomia Online

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në “Raportin e Auditimit Për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Deçanit Për Vitin 2025“, ka gjetur se komuna nuk kishte planifikuar fonde rezervë për mbulimin e detyrimeve që rrjedhin nga vendimet gjyqësore/përmbarimore, në përputhje me kërkesat ligjore.

Sipas ZKA-së, si pasojë e kësaj përmes pagesave direkte nga Thesari bazuar në vendime gjyqësore, dhe urdhërave përmbarimore gjatë vitit 2025 transaksione në vlerë 219,490€, ishin realizuar për punonjësit e arsimit (pagat jubilare dhe shujta) nga kategoria ekonomike joadekuate -investimet kapitale ishte realizuar pagesa në vlerë 200,000€, ndërsa nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve ishte realizuar pagesa në vlerë 19,490€.

“Pagesat për paga jubilare dhe shujta kanë ndodhur si rezultat i kontratës kolektive, shpenzimet e të cilave nuk janë planifikuar në buxhet”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Tutje, ZKA thotë se kjo ndikon në planifikimin dhe realizimin e shpenzimeve nga ketegoritë ekonomike jo adekuate, në mbivlerësimin apo nënvlerësimin e kategorive përkatëse të shpenzimeve dhe të pasurisë, teksa si rrjedhojë ndikon në prezantim jo të drejtë të shpenzimeve në PFV.

ZKA rekomandon se kryetari duhet të sigurojë që janë ndërmarrë të gjitha veprimet që shpenzimet të planifikohen në ndarjet adekuate të buxhetit, që pagesa dhe regjistrimi i shpenzimeve të bëhet sipas kodeve ekonomike adekuate.

“Kryetari duhet të sigurojë që janë ndërmarrë të gjitha veprimet që shpenzimet të planifikohen në ndarjet adekuate të buxhetit (apo të ridestinohen mjetet kur është e nevojshme dhe e mundshme), që pagesa dhe regjistrimi i shpenzimeve të bëhet sipas kodeve ekonomike adekuate”, thuhet në raport.

Të ngjashme