Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar tryezën e diskutimit me temë “Momentumi i ri politik për rregullimin e lobimit legjislativ në Kosovë”, ku u diskutua nevoja për krijimin e një kornize ligjore që rregullon aktivitetin e lobimit dhe rrit transparencën në procesin e vendimmarrjes. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve, deputetë dhe ekspertë, të cilët ndanë qëndrimet e tyre mbi sfidat dhe mundësitë për rregullimin e kësaj fushe, raporton Ekonomia online.
Duke prezantuar raportin e KDI-së, Plator Avdiu theksoi rëndësinë e definimit të qartë të lobimit dhe domosdoshmërinë e rregullimit të tij me ligj.
“Së pari duhet të dihet dhe të definohet se çka është në fakt lobimi, dhe më specifikisht lobimi legjislativ. Në Kosovë ndonjëherë tentohet të ketë një keqkuptim ose keqinterpretim sa i përket lobimit. Kjo ndodh sepse me “lobim” gjithmonë kuptohet lobimi për njohjen e shtetit – ndoshta për shkak të kontekstit politik dhe marrëdhënieve që kemi pasur me vendet e tjera. Sigurisht që lobimi për njohje është në vetvete një lloj lobimi, mirëpo ai është lobim që bëhet më shumë nga shteti në shtet.
Ndërsa tek lobimi si aktivitet publik, ka më shumë interferime nga grupe të ndryshme të interesit, nga njerëz qoftë privatë ose publikë, që tentojnë të ndikojnë në një formë ose një tjetër në çështjet e interesit publik. Kështu që, lobimi ose lobimi legjislativ konsiderohet çfarëdo lloj komunikimi që bëhet me anë të këtyre grupeve të interesit, me qëllimin e vetëm për të ushtruar ndikim ose ndërhyrje në vendimet e institucioneve shtetërore, dhe më shumë në vendimet e interesit publik.
Ndonjëherë lobimi tenton të jetë edhe në dëm të interesit publik, prandaj është i nevojshëm rregullimi ligjor i këtij aktiviteti në vend. Dy janë metodat kryesore të lobimit, me të cilat pajtohet edhe shumica e aktorëve që merren me këto çështje: Komunikimi i drejtpërdrejtë: Konsiderohet kur bërësit e politikave (politikëbërësit) vendosin kontakte ose bisedojnë me lobistët apo grupet e interesit përmes takimeve, thirrjeve telefonike apo komunikimeve elektronike.
Komunikimi i tërthortë: Përfshin më shumë publikimet e ndryshme, ngjarjet që organizohen për tema të caktuara dhe aktivitetet e ndryshme promovuese që tentojnë të ndikojnë në një formë ose një tjetër në dërgimin e porosisë së caktuar sa i përket çështjeve publike ose politikave”, thotë ai.
Më tej, Avdiu vlerësoi se mungesa e rregullimit ligjor e lë Kosovën prapa vendeve të rajonit dhe krijon hapësirë për ndikime të pakontrolluara në procesin e vendimmarrjes.
“Sa i përket mosrregullimit të kësaj teme, ajo që kemi vërejtur ne si KDI (Instituti Demokratik i Kosovës) është se Kosova është vendi i vetëm tani në rajon që nuk e ka të rregulluar lobimin legjislativ. Vendi i fundit që ka miratuar një ligj për lobimin është Shqipëria. Në Shqipëri lobimi është rregulluar përmes një ligji të veçantë, i cili nuk rregullon vetëm lobimin në nivel të Kuvendit, por e prek atë edhe në nivelin e Qeverisë dhe në nivelin e bashkive (komunave)”, tha ai.
“Një arsye tjetër pse nuk është rregulluar lobimi – dhe kjo është ndoshta sfida më e madhe në Kosovë, që shihet edhe te pasqyrimi i partive politike – është mungesa e vullnetit politik të institucioneve, qoftë të Kuvendit apo të Qeverisë. Nuk ka pasur ndonjë iniciativë konkrete, qoftë nga deputetët apo nga subjektet politike të përfaqësuara në Parlament, për trajtimin e lobimit.
Një çështje tjetër që e prek po ashtu Kuvendin është se nuk ka arritur të zbatohet Plani i Veprimit për Kuvend të Hapur. Ky plan në fakt kishte paraparë që të bëhej rregullimi ligjor i lobimit në Kosovë. Jemi në vitin 2026, periudhë kur skadon ky plan, dhe ende nuk kemi parë ndonjë iniciativë nga Kuvendi për rregullimin e fushës së lobimit.
Në fakt, lobimi si proces në vete nuk është patjetër një veprim negativ apo kriminal. Ai është një formë legjitime e pjesëmarrjes politike, e cila u mundëson aktorëve të ndryshëm të kenë qasje në zhvillimin dhe zbatimn e politikave publike. Mosrregullimi i lobimit krijon probleme të mëdha, për shkak se hap shumë dyer të cilat ligji nuk mund t’i kontrollojë. Prandaj, rregullimi është i domosdoshëm. Mungesa e kornizës ligjore mund të sjellë pasoja të rënda, ku grupet e interesit mund të bëjnë fushata apo lëvizje të ndryshme për të shtyrë interesat e tyre të veçanta përpara, ndonjëherë duke krijuar monopole dhe duke dëmtuar interesin publik apo shoqërinë”, u shpreh tutje ai.
Deputeti i rizgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, vlerësoi se lobimi është një formë legjitime e pjesëmarrjes, por theksoi se ai duhet të rregullohet në mënyrë që të garantohet transparenca dhe të shmangen keqpërdorimet.
“Mbase po filloj pak nga vetë nocioni i lobimit. Me të drejtë zoti Abdyl tha se ekziston një lloj perspektive apo gatishmërie për ta keqkuptuar atë. Në shkallë të parë, lobimi ta lë këtë përshtypje: të jep imazhin e një lloj aktiviteti negativ për deformimin e procesit të ligjbëries për interesa të caktuara (sidomos private) të grupeve të caktuara, në dëm ose në kurriz të asaj që konsiderohet interes publik.
Personalisht, pa asnjë dyshim, jam që kjo të kuptohet edhe në rrafshin teorik, por edhe përmes shembujve të ndryshëm të cilëve u referohet edhe studimi juaj, të cilin pata rastin ta lexoja mbrëmë. Lobimi, megjithatë, është një aktivitet legjitim i pjesëmarrjes.
Unë personalisht jam ithtar i instrumenteve konvencionale të pjesëmarrjes, siç janë: Avokimi për një temë të caktuar. Iniciativat qytetare dhe nismat ligjvënëse, siç parashihet me rregullimin tonë kushtetues dhe ligjor. Peticionet për një çështje apo temë të caktuar që sillet në Kuvendin e Kosovës. Konsultimet publike në secilin nivel të procesit të ligjbëries. Dëgjimet publike në Kuvendin e Kosovës, si një mekanizëm i rëndësishëm, madje i fuqizuar me rregulloren e fundit të Kuvendit, që jep një hapësirë të jashtëzakonshme për pjesëmarrje dhe mundëson një perspektivë gjithëpërfshirëse për të gjitha palët apo grupet që i prek një nismë e caktuar ligjore. Unë jam po ashtu ithtar i një procesi ballafaques (konfrontues) të pikëpamjeve dhe të interesave në procesin e ligjvënies. Çfarë nënkupton kjo? Nënkupton vendosjen përballë të palëve të kundërta apo të ndryshme: për shembull, sektorin privat përballë rregullatorit publik, ose ambientalistët përballë industrisë dhe industrialistëve. Kjo na jep mundësi t’i shohim dhe t’i marrim parasysh specifikat e interesave të secilës palë, por në të njëjtën kohë edhe ta sintetizojmë atë që konsiderohet interes publik. Megjithatë, nga leximet që kam bërë në funksion të kësaj tryeze, kam parë që vendet e Bashkimit Evropian rregullimin e lobimit më shumë e kanë në përmasën e kufizimit, dhe jo të krijimit të një mekanizmi të ri të ndikimit në procesin e vendimmarrjes apo të politikëbërjes në cilindo nivel. Përshtypja e parë që të jep ky diskutim sot është sikur skenës publike po ia shtojmë edhe një mekanizëm shtesë të ndikimit. Kjo gjë, padyshim, të nxit të kesh një qëndrim të rezervuar (do të thosha me kujdes), sepse lobimi si aktivitet mund të na sjellë një proces ligjvënës “të porositur” – me deputetë të ndikuar ose të ndikueshëm, dhe me vullnete të blera, pse jo. Megjithatë, nëse ky është një aktivitet i pranishëm dhe legjitim në këtë nismë të ndikimit, të komunikimit (siç u prezantua), të diskutimit dhe të pjesëmarrjes, natyrisht që duhet të kemi kujdes ta rregullojmë në atë mënyrë… Mbase sot nuk kam një qëndrim prerë se cila është forma më e mirë, apo nëse ka nevojë ose jo për një ligj specifik, por duhet ta rregullojmë në mënyrë që ta kufizojmë, të garantojmë transparencë maksimale, si dhe ta mbikëqyrim e ta kontrollojmë si proces. Sidoqoftë, mendoj që ky aspekt i rregullimit të lobimit ka një trekëndësh të rëndësishëm, për bindjen time, që duhet marrë parasysh:
Lobimi si një lloj trafikimi i ndikimit, Pasuria e pajustifikueshme e zyrtarëve të lartë publikë dhe politikanëve, Mungesa e vullnetit autentik të politikanëve, domethënë rasti kur nuk kanë një pikëpamje të fortë politike ose një koncept të qartë politik”, tha Rrustemi.
Ndërkaq, deputetja e rizgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, theksoi se ndikimi në proceset vendimmarrëse tashmë ekziston në praktikë dhe se rregullimi ligjor i lobimit do të ndihmonte në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës.
“Natyrisht pajtohem me atë që u tha paraprakisht, që një rregullore e Kuvendit, e cila ka arritur që të ndryshojë tek pas 10 viteve, pas një presioni të jashtëzakonshëm dhe nevojës që Kosova kishte ta ndërrojë rregulloren, pra të ketë një rregullore të re të funksionimit të Kuvendit të Kosovës, e shoh bukur të vështirë që të inkorporohet brenda rregullores së re. Kjo për faktin se duhet një konsensus i gjerë, gjë që, bazuar në krizat që i ka pasur Kosova vitet e fundit, është bukur e vështirë të mendohet që forcat politike, edhe këtu, do të kenë mundësi që të gjejnë interesin publik dhe të kemi një ligj që e rregullon lobimin.
Tash, këtu u tha që përmes lobimit mund të zyrtarizohet ndikimi, mirëpo realisht ndikimi ekziston sepse ne jemi vetë ligjbënës dhe kemi shumë raste kur organizata të shumta e profesionistë të shumtë, po e përmend këtu vetëm një rast kur është diskutuar për çështjen e ligjit të duhanit. Asokohe ka pasur një ndarje të opinionit publik, por edhe të vetë deputetëve, nëse ne me rregulloren e re që sanksionon pirjen e duhanit në ambiente të mbyllura do të cenonim ose jo disa prej bizneseve, të cilat provonin që të lobonin e të shtrinin ndikimin e tyre për shkak të fuqisë që bizneset në këtë rast kishin.
Pra, unë mendoj që është një temë që do trajtim. Përderisa Kosova synon që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ne nuk mund të mbesim peng e të jemi të vetmit në rajon që të mos e shohim mundësinë që ta bëjmë një ligj të tillë. Natyrisht, një ligj funksional, sepse siç e thashë, nëse ligjet bëhen veç në letra, atëherë pse duhet të ketë një fokusim dhe angazhim të institucioneve tona që ta kemi ligjin për lobim?
Por është evidente që po, ekziston lobimi jo ligjërisht. Kudo që ka borde të ndërmarrjeve publike, kudo që ka zgjedhje në Kuvendin e Kosovës, ka persona fizikë e persona publikë, të cilët e shtrijnë ndikimin e tyre dhe provojnë ta shtrijnë ndikimin e tyre për të marrë besimin e deputetëve. Pra, kjo ekziston joformalisht. Nëse Kosova do të arrijë që të ketë sanksione, dhe këto sanksione pastaj të zbatohen, qoftë me rregulloren e re të Kuvendit, qoftë me një ligj të ri, atëherë natyrisht që kjo është e mirëseardhur.
Fakti që vetë Shqipëria, një shtet i konsoliduar tashmë që ka shumë vite shtetësi, ka arritur që vetëm një vit më herët ta ketë ligjin për lobim, flet që nuk është lehtësisht një ligj që mund të ketë zbatueshmëri në Kosovë. Por kjo nuk e largon nevojën që institucionet, të cilat synojnë që të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, dhe shteti i Kosovës, që synon të jetë anëtar në BE, në Këshillin e Evropës e në mekanizma të tjerë të rëndësishëm, të mos synojnë që t’i japin një drejtim të ri llogaridhënies dhe gjithëpërfshirjes”, tha ajo.
Donat Lushaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës foli për nocionin e lobimit.
“Siç u tha edhe nga parafolësit, si koncept njerëzit, që lobimi është një lloj ndikimi, i cili shumë kuptimin, e siç kemi parë e kështu me radhë, të kryejmë reformat legjislative, ndryshimet e legjislacionit në rregulloret e ndryshme, që nuk e shoh problematike në kuptimin as politikë e as ligjor. Lobizëm të ndryshëm kemi edhe për aspekte, të tjera. Ai vetë se ekziston, si, siç e tha edhe parafolësja, Delia, ai është po materializohet kuptimi ligjor sepse kemi lobim nga OJQ, kemi lobim qytetar, kemi lobim direkt, indirekt, profesional nga organizata të ndryshme. Nga përvoja që e kam pasur si këshilltar i ministrit, kemi pasur lobimin, me quajt mjaft, uh, interesant dhe korrekt dhe jo atë siç u tha nga disa parafolës që ka ndikime negative. Për shembull, nga organizatat të cilat mbrojnë interesat e ndryshme në industrinë e bujqësisë, industrinë, ushqimore, qumështore e kështu me radhë, të cilat në njëfarë forme i kemi kapitalizuar në,në ligje, ose për shembull ta zëmë ligjin për pyjet e kështu me radhë. Po marr disa shembuj konkretë, të cilat pastaj kanë qenë lobime të caktuara prej shtresave të caktuara shoqërore, organizatave profesionale. Ndërsa në aspektin, me institucionalizuar, unë jam plotësisht dakord sepse, ai vetë se pastaj mund të kufizohet në kuptimin e ndalesave që nuk, i kthejnë ndalesa në kuptimin që jo, të ketë regjistër madje edhe se kush lobon, ku, cila është prapavija e atyre lobimeve, sepse kemi dy palë, nuk kemi vetëm një palë, ata që janë përcaktues dhe vendimmarrës. Pastaj po deputetët që janë pjesë e komisioneve parlamentare, sigurisht se e kuptojnë edhe rëndësinë e lobimit, pastaj e kuptojnë edhe, me quajt, ka ndonjëherë rang në atë aspekt të ligjbërjes”, tha ai.
Deputeti i rizgjedhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri përmendi dy forma për shtyrjen përpara e këtij ligji.
“Raporti padyshim është i vlefshëm. Por kjo çështje diskutohet prej vitit 2019. Është viti së paku në aspekt hulumtimi që e bën KDI-ja, po jo vetëm KDI-ja, por edhe Këshilli i Evropës, organizatat, domethënë janë shtatë vjet. Në qoftë se për shtatë vjet ne s’kemi mujt me e shty këtë ligj, as në agjendë legjislative të Kuvendit, as të Qeverisë, ky është një problem. Këtij problemi duhet me ia gjetë zanafillën, me ia gjetë rrënjën se pse. Tash, rekomandimi im i parë me këtë raport është me i bë dy punë: E para: Këtij raporti me ia bë një letër përmbledhëse (cover letter), me ia drejtu Kryeministrit dhe me ia drejtu Kryetarit të Kuvendit apo Kryesisë së Kuvendit, edhe me këqyr a dojnë me e shty këtë ligj në procedurë legjislative të Kuvendit apo të Kryeministrit. Ndoshta edhe e keni bë, mirëpo në qoftë se e keni bë, atëherë është problem që s’ka mbërri te ne kjo letër. Ne si Komision për Legjislacion jemi këtu tash e pesë vjet. Domethënë, u desh dikush me ardh e me mbërri te ne, se e dini, me dërgu e me e lanë atje, ajo është veç në output level. Ajo çka po du me thënë është se, në qoftë se duam me e shty përpara këtë ligj, janë dy forma: 1. Njëra është ligji me hy në agjendën legjislative të Qeverisë.
2. E dyta është me ardh te Kuvendi, tek Kryesia, dhe me ardh te ne si Komision për Legjislacion, edhe prej atyhit me e nisë punimin e kësaj”, tha Tahiri.

