(Kushtuar Bajrush Behramit, të burgosurit politik të ndërgjegjes sonë kombëtare, bashkëpunëtorit
më të ngushtë të Ukshin Hotit dhe ushtarit të radhëve të para të UÇK-së)
Shtatmesëm, flokëgështenjë,
sy ulliri, qëndrim burri.
Kur thoshte “po”,
fjalën e tij mund ta thyente vetëm vdekja.
Po t’i shtroje bukë e kripë,
ishte mirënjohës.
Atë që e konsideronte shok e mik,
dhe që luftonte pa hile për Atdhe,
jepte kokën për të.
Ata që heshtnin
edhe kur vendi ishte në robëri,
haptas i mallkonte.
E kishte pasion artin.
Portretizonte Gjergj Kastriotin,
Norën e Hotit,
Idriz Seferin
e Mic Sokolin.
Kur dikush e pyeste
pse vetëm ata,
përgjigjej:
“Po të mos ishin ata,
nuk do të ishim ne.”
Për këngën, thirrje lirie,
dhe përpjekjet për ribërjen e Shqipërisë,
e burgosën dhe e dënuan —
por kurrë nuk e thyen,
as nuk e nënshtruan.
Iu gëzua çlirimit të Kosovës
më tepër
se lindjes së katër fëmijëve të tij.
Iku më 30 qershor 2018
me amanetin:
Ruajeni si sytë
vendin
dhe njëri-tjetrin.
I gjithë Llapi e njohu
si burrin që ndërtonte ura
dhe bashkonte njerëz,
rrënonte mure
dhe shuante hasmëritë.
Kushdo që kalon
pranë varrit të tij,
lotët e tradhtojnë.
Vërtet ishte burrë,
shpirtbardhë
dhe engjëllor.