Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në fshatin Zlipotok të Dragashit, ku një 47-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se u godit me një mjet të mprehtë gjatë një rrahjeje.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi ka thënë për Ekonomia Online se viktima është G.T mashkull 47-vjeçar.
“Më datë 29.06.2026, rreth orës 23:15, policia është njoftuar përmes telefonit se në fshatin Zlipotok, komuna e Dragashit, kishte ndodhur një rrahje mes disa personave. Me arritjen në vendin e ngjarjes, patrulla policore ka gjetur një person të shtrirë në tokë. Dyshohet se lëndimet i janë shkaktuar me një mjet të mprehtë. Pas arritjes së ekipit mjekësor nga QKMF Dragash, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës, G.T., mashkull rreth 47-vjeçar nga Zlipotoku i Dragashi”, ka thënë ai.
Ndërsa, i dyshuari është identifikuar si B.H., mashkull 40-vjeçar nga Zlipotoku.
“I njëjti ndodhet në arrati, ndërsa që nga mbrëmja e kaluar policia është duke ndërmarrë veprime intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Stacionit Policor në Dragash, komandanti i stacionit, si dhe është njoftuar Njësia Rajonale e Hetimeve në Prizren, të cilës më vonë i janë bashkuar edhe njësi të tjera policore. Hetimet janë duke u zhvilluar në koordinim me prokurorin e shtetit”, ka deklaruar ai.