Auditimi evidentoi gjithashtu raste të tjera kur fondet e dedikuara për investime kapitale u përdorën për pagesën e mallrave dhe shërbimeve, ndërsa subvencionet u përdorën për shpenzime që nuk u takonin kësaj kategorie.
Përveç pagesave që lidhen me vendimet gjyqësore, ZKA identifikoi edhe 28 raste të tjera, në vlerë prej 4.43 milionë euro, ku pagesat nuk kishin lidhje me procese gjyqësore, por megjithatë ishin regjistruar në kategori ekonomike të gabuara.
Sipas raportit, shkaku kryesor i kësaj situate ishte mungesa e buxhetit të mjaftueshëm për mbulimin e obligimeve nga vendimet gjyqësore dhe përmbarimore, si dhe mungesa e kontrolleve efektive në klasifikimin e shpenzimeve sipas kategorive ekonomike.
“Si rezultat, shpenzimet në vlerë 7,766,370€ nuk janë prezantuar në kategoritë përkatëse ekonomike, duke ndikuar në paraqitjen jo të drejtë të ekzekutimit të buxhetit në Pasqyrat Vjetore Financiare”- thuhet ndër të tjera në raport.
Për këtë arsye, ZKA i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Prishtinës që gjatë përgatitjes së buxhetit të sigurojë zbatimin e kërkesave të Ligjit për Buxhetin dhe qarkores buxhetore, si dhe të forcojë mekanizmat e kontrollit për klasifikimin dhe regjistrimin e saktë të shpenzimeve.
Komuna e Prishtinës, sipas raportit, është pajtuar këtë gjetje dhe rekomandim të auditorit.
Kjo komunë ka pranuar opinion të kualifikuar nga Auditori, raporton kallxo.com.
ZKA jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet.
Ky raport i ZKA-së për komunën ka rezultuar me 25 rekomandime.
Prej tyre, 14 janë rekomandime të përsëritura, 3 pjesërisht të zbatuara, 8 janë rekomandime të reja, ndërsa dy rekomandime janë zgjidhur gjatë procesit të auditimit.
Në raportin e auditimit në vitin 2024, Komuna e Prishtinës kishte marrë 27 rekomandime.