Ferizaj, 24 vjeçarja dyshohet se vrau të dashurin me armën e tij, gjithçka që dihet deri tani

Prishtinë | 30 Qer 2026 | 12:30 | Nga Ekonomia Online

Arjeta R., 24 vjeçe, ndodhet në mbajtje, ndërsa pret vendimin e Gjykatës për caktimin e masës së sigurisë, i cili pritet të shqyrtohet sot.

Ajo dyshohet për kryerjen e veprës penale të vrasjes.

Sipas hetimeve, dy net më parë, e reja nga Ferizaj, e cila jeton në Francë, dyshohet se e qëlloi me armë zjarri në kokë 32-vjeçarin Florim Haxhidema.

Raportohet se autorja e dyshuar dhe viktima ishin në një lidhje dashurie, raporton Sinjali.

Krimi ndodhi në një banesë në rrugën “Sejdi Sejdiu”, e marrë me qira nga babai i të dyshuarës. Familja kishte ardhur për pushime nga Franca, ku jeton prej vitesh.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, e cila ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 24-vjeçares, dyshon se konflikti që përfundoi me fatalitet nisi pas një mosmarrëveshjeje mes çiftit. Sipas Prokurorisë, pas debatit pasoi një përleshje fizike.

Arma me të cilën dyshohet se u krye krimi ishte në pronësi të viktimës. Gjatë konfliktit, sipas përshkrimit të Prokurorisë, 24-vjeçarja ia mori armën Florim Haxhidemës dhe shtiu një herë në drejtim të tij, duke e goditur në kokë.

“I ndjeri kishte shkuar në banesën në të cilën ndodhej e pandehura dhe, gjatë qëndrimit në banesë, pas një mosmarrëveshjeje dhe përleshjeje fizike në mes tyre, e pandehura merr armën e zjarrit nga tani i ndjeri dhe shtie një herë në drejtim të tij, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse”, thuhet në përshkrimin e Prokurorisë.

Skena e rëndë e krimit u pa edhe nga të dy prindërit e të dyshuarës.

Babai, 47-vjeçari Muhamet Begisholli, dhe nëna e saj, H. Roshaj, ndodheshin në banesë në momentin kur ndodhi konflikti. Të dy u shoqëruan në stacionin policor të dielën, menjëherë pas ngjarjes.

Begisholli fillimisht u ndalua në cilësinë e të dyshuarit për vrasje, siç njoftoi Policia e Kosovës përmes një komunikate për media të hënën në mëngjes.

Megjithatë, pas avancimit të hetimeve, Prokuroria bëri të ditur se e dyshuara kryesore për vrasjen ishte vajza e tij, 24-vjeçarja Arjeta R.

Po ashtu, Prokuroria ndryshoi kualifikimin e veprës penale nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje”, sipas një njoftimi për media të publikuar më vonë gjatë paradites së së hënës.

Muhamet Begisholli mbeti i ndaluar edhe gjatë ditës së hënë për shkak të, siç u tha nga Prokuroria, “sqarimit të plotë të rrethanave dhe përfshirjes së tij në këtë rast”.

Më vonë, ai u lirua me urdhër të prokurorit.

Ndërkohë, familja e viktimës bëri të ditur të hënën lajmin për vdekjen e 32-vjeçarit Florim Haxhidema. Varrimi i tij është caktuar të mbahet këtë të martë.

Të ngjashme