Një grua është gjobitur me 300 euro në Prizren pasi që i kishte lënë fëmijët e mitur të mbyllur në veturë në parkingun pranë një qendre tregtare.
Sipas policisë, fëmijët ishin të lodhur dhe të dehidratuar nga nxehtësia.
“Më datë 27.06.2026, rreth orës 17:50, Policia ka pranuar informacion se në një veturë të parkuar në një qendër tregtare në Prizren ndodheshin disa fëmijë të mbyllur brenda, të rraskapitur nga i nxehti, duke qenë se temperaturat ishin shumë të larta. Policia ka arritur menjëherë në vendngjarje dhe me ndihmën e shufrës metalike ka hapur automjetin. Fëmijët ishin të lodhur dhe të dehidratuar nga nxehtësia”.
Sipas njoftimit, në vendngjarje është paraqitur edhe e ëma e tyre. Për shkak të moskujdesit ndaj të fëmijëve, policia i ka shqiptuar gjobë prej 300 euro, sipas kundërvajtjes “Moskujdes ndaj të miturit”.
“Duke marrë parasysh se tani në stinën e verës temperaturat janë shumë të larta, Policia apelon për kujdes të shtuar, sidomos ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe personave të sëmurë. Në asnjë rast nuk duhet të lihen fëmijët të mbyllur në automjet, pasi pasojat mund të jenë fatale”, tha policia në njoftim.