I dërguari presidencial për misione speciale në mbarë botën, Richard Grenell, e ka shpërndarë artikullin dhe videon e mëposhtme.

Trendafilova dëshmoi se i tërë zinxhiri në Speciale është i varur dhe i ndikuar nga brenda, nga dora e Trendafilovës, ndërkaq vetë ajo e kapur nga brenda dhe nga politika e diplomacia jashtë.

Trendafilova: “Gjykatësit e Dhomave të Specializuara nuk kanë qenë asnjëherë objekt i ndikimeve apo ndërhyrjeve nga jashtë gjatë ushtrimit të detyrave të tyre”.
Kur në prill të vitit 2021, trupa e gjykatësve në Gjykatën e Apelit, e përbërë nga Michèle Picard, Kai Ambos dhe Nina Jørgensen, refuzoi lirimin nga paraburgimi të ish-presidentit Hashim Thaçi, një nga këta të tre pati një vështrim ndryshe nga kolegët e tij.
Gjyqtari Kai Ambos shprehu ndaras dhe publikisht mendimin se gatishmëria e një shteti të tretë që të pranojë dhe të mbikëqyrë një të dyshuar ose të akuzuar mund të përbëjë një ofertë të rëndësishme, ndoshta vendimtare, në kuadër të lirimit me kushte.
Ky akt i gjyqtarit gjerman Ambos nuk kaloi lehtë nga kthetrat e Ekaterina Trendafilovës.
Ambos u përjashtua menjëherë nga paneli në Gjykatën e Apelit, duke u zëvendësuar me një tjetër, gjyqtarin Emilio Gatti, e që më pas vendimet do të rezultonin unanime kundër mbrojtjes në rastet e tjera të parashtresave.
Me këtë, Trendafilova dëshmoi se i tërë zinxhiri në Speciale është i varur dhe i ndikuar nga brenda, nga dora e Trendafilovës, ndërkaq vetë ajo e kapur nga brenda dhe nga politika e diplomacia jashtë.
Mbrojtja e kishte cilësuar këtë akt të Trendafilovës si shkelje të ligjit, ndërhyrje brutale në pavarësinë e gjyqtarëve dhe shkelje të të drejtave të të akuzuarve për gjykim të drejtë e të pavarur.
Avokatët e Thaçit kërkuan heqjen e gjyqtarit Emilio Gatti dhe që vendimin për një panel tjetër ta marrë zëvendëskryetari i gjykatës dhe jo më Trendafilova.
Kjo përpjekje ishte e kotë, sepse dora e hekurt e Trendafilovës përmbysi çdo kërkesë të mbrojtjes dhe gjithçka do të vazhdonte të shkonte siç dëshironte ajo.
Se Ekaterina Trendafilova ndikohej nga brenda nga Jack Smith dhe jashtë, nga politika dhe diplomacia evropiane, e më pas ajo ndikonte te gjyqtarët, e dëshmon edhe një takim i dhjetorit të vitit 2020 mes Trendafiloves dhe Prokurorit Jack Smith me ambasadorë të Bashkimit Evropian.
Ky takim, që nuk do të ishte raportimi i vetëm i Speciales para burokracisë evropiane, dëshmoi po ashtu se për aq kohë sa shërbeu në Speciale, ish-prokurori Jack Smith e dirigjonte plotësisht kryetaren Trendafilova.
Në një procesverbal të atij takimi, që e ka publikuar për herë të parë VOX Kosova, Trendafilova ishte pyetur për momentin kur avokati i Thaçit kishte pyetur në sallë se pse nuk ka flamur të Kosovës.
Deklarata e avokatit: “Pse nuk ka flamur të Kosovës nëse kjo është gjykatë e Kosovës?”
Trendafilova do ta quante këtë pyetje si provokim ndaj gjyqtarit, për të krijuar një debat politik.
Paramendojeni, flamuri i Kosovës përbën provokim.
Dhe këtu, nga procesverbali, ajo tregon se ndikon fort te sjellja e gjyqtarëve, edhe pse kjo gjë është e ndaluar me vetë rregulloren e punës së gjykatës speciale.
“Gjyqtari paraprak ishte i sjellshëm dhe i respektueshëm me të, diçka që nuk do të ndodhë në raste të tjera nëse ngrihet sërish”, thoshte Trendafilova në takim.
Nëse gjyqtarët janë të pavarur në punën e tyre, nga e dinte Trendafilova se si do të vepronte në të ardhmen gjyqtari?
Pse duhet ajo t’i tregojë gjyqtarit që në të ardhmen të mos sillet mirë me avokatin?
Dhe pse duhet të japë deklarata se si duhet të veprojë gjyqtari, në prezencë të diplomatëve evropianë dhe ish-kryeprokurorit Jack Smith, që ishte një nga palët në proces e jo anëtar i zyrës së Trendafilovës?
Nga ky takim, ajo tregoi se raportet e saj me ish-kryeprokurorin Jack Smith ishin tejet të afërta dhe se, në një mënyrë, ajo dirigjohej nga ai.
Aty, Trendafilova po e diskutonte fatin e katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me përfaqësues politikë të vendeve të Evropës.
Kryetarja e Speciales u thotë ambasadorëve se Jack Smith i ka thënë se “do të prezantojë arsyet se pse Thaçi nuk duhet të lirohet nga paraburgimi”.
E tmerrshme.
E para, prokurori është vetëm palë në një proces, sikurse mbrojtja, dhe pse duhet të jetë vetëm ai në atë takim? Pse nuk ishte edhe mbrojtja prezente, si palë tjetër?
Por më skandalozja, një vendim që është punë gjyqtarësh të pavarur, Trendafilova e diskuton me një kastë diplomatësh dhe e ndikuar totalisht nga fjalët e prokurorit Jack Smith.
Si të ishte notere, Trendafilova rri e heshtur kur në këtë takim, prokurori Jack Smith fliste me bindje, si të ishte fakt i kryer se krerët e UÇK-së do të dënoheshin me burgim të përjetshëm.
Nga procesverbali nuk del që ajo të ketë reaguar edhe për sulmet që Smith ua bënte mbrojtjeve, duke i akuzuar avokatët se donin që të zvarritej procesi dhe kështu të mundësohej mbrojtja në liri.
Koha do të tregonte se procesi do të zvarritej, jashtë çdo standardi ndërkombëtar, nga vetë prokuroria dhe më pas nga paneli i gjyqtarëve.
Dhe për këto vonesa që rëndojnë fort mbi jetën e katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Trendafilova nuk foli kurrë. Dhe nuk foli kurrë për një proces ekstremisht jotransparent për publikun.
Dhe nuk foli kurrë për shqetësimet serioze të mbrojtjes, për një proces të devijuar, që nuk verifikon provat nga Serbia, që kriminalizon krejt UÇK-në, që shan dëshmitë e aktorëve ndërkombëtarë të kohës; një proces ku gjyqtarët, në vend se të sfidojnë prokurorinë, tentojnë të gjejnë fjali fajësuese për të akuzuarit dhe shpenzojnë më shumë kohë se vetë mbrojtja.
Kur kryetarja e institucionit, në vend se të jetë garantuese e pavarësisë së gjykatës, shfaqet e ndikuar nga politika dhe interesat e jashtme, e më pas përdor autoritetin e saj për të marrë vendime që cenojnë të drejtat e të akuzuarve dhe për të ndërtuar një sistem pengesash kundër mbrojtjes, atëherë pyetja që mbetet është e thjeshtë: çfarë drejtësie është kjo?