Gërvalla: Pakoja e reformës në drejtësi po shkon drejt finalizimit institucional

Prishtinë | 02 Kor 2026 | 18:25 | Nga Ekonomia Online

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se pakoja e reformës në drejtësi po shkon drejt finalizimit institucional, pas një takimi të zhvilluar me përfaqësues të institucioneve kyçe të sistemit të drejtësisë.

Sipas Gërvallës, së bashku me zëvendësministrin Blerim Nimoni, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Akademisë së Drejtësisë, janë diskutuar çështjet përfundimtare të pesë projektligjeve që janë pjesë e Deklaratës së Përbashkët të Zotimit për reformën në drejtësi.

“Bashkë me zëvendësministrin Nimoni, përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Akademisë së Drejtësisë u mblodhëm për të diskutuar çështjet finale të pesë projektligjeve që janë pjesë e Deklaratës së Përbashkët të Zotimit për reformën në drejtësi”, ka shkruar Gërvalla.

Ajo ka theksuar se gjatë takimit është zhvilluar një diskutim i hapur dhe profesional për harmonizimin e dispozitave të këtyre projektligjeve.

“Përmes një diskutimi të hapur dhe profesional, diskutuam dhe harmonizuam dispozitat e këtyre projektligjeve, me synimin që ato të finalizohen në përputhje me standardet kushtetuese dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, është shprehur ajo.

Gërvalla ka vlerësuar se reforma në drejtësi është një domosdoshmëri për shtetin dhe jo vetëm një proces i ndryshimeve ligjore.

“Reforma në drejtësi nuk është thjesht një proces ndryshimesh ligjore. Është një domosdoshmëri shtetërore për ndërtimin e një sistemi drejtësie që nuk toleron kompromis me integritetin, që e vendos llogaridhënien në themel dhe që rikthen besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, ka theksuar ajo.

Ministrja në detyrë ka ritheksuar angazhimin për avancimin e reformave përmes bashkëpunimit ndërinstitucional.

“Mbetemi të përkushtuar që, përmes dialogut ndërinstitucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me të gjithë akterët e sistemit, të çojmë përpara reforma që e forcojnë sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës”, ka shtuar Gërvalla.

Të ngjashme