Sfera të mistershme shfaqen në një plazh të Australisë, nisin hetimet

Prishtinë | 05 Kor 2026 | 19:10 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet në Australi kanë nisur hetimet pasi në një plazh në veri të Queenslandit u gjetën disa sfera të mëdha metalike, të cilat dyshohet se mund të jenë mbetje hapësinore.

Objektet u zbuluan në plazhin Forrest Beach dhe mendohet se mund të jenë pjesë e mbetjeve të një anijeje kozmike.

Agjencia Australiane e Hapësirës po punon për të përcaktuar prejardhjen e objekteve, ndërsa ekipet e specializuara, të pajisura me kostume mbrojtëse, i kanë vendosur ato në fuçi për materiale të rrezikshme nën mbikëqyrjen e policisë.

Autoritetet kanë vendosur një perimetër sigurie prej 50 metrash dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos i prekin objektet, por të njoftojnë menjëherë shërbimet e emergjencës nëse hasin të tjera të ngjashme.

Në internet kanë qarkulluar spekulime se sferat mund të jenë rezervuarë shtytës të anijeve kozmike, të cilët mund të përmbajnë mbetje substancash të ndezshme ose reaktive.

Të ngjashme