(Ilaçi popullor kundër palumturisë.)
…
PROLOG
Atëherë protestonim kundër pushtuesit.
Sot protestojmë kundër njëri-tjetrit.
Kemi protestuar shumë.
Jemi rrahur.
Jemi burgosur.
Jemi vrarë.
Por nuk ia kemi uruar vdekjen askujt.
As armikut.
Nuk kemi përdorur arkëmorte për njerëz të gjallë.
Nuk e kërkonim lirinë duke ia dëshiruar robërinë dikujt tjetër.
Thirrjet tona ishin të dhimbshme.
Jo sadiste.
Protestonim si viktima.
Jo si vrasës kundër vrasësve.
Përjashtim bëri vetëm Veton Surroi.
Në një protestë përdori arkëmort për ta “varrosur dhunën”.
Pasi u varros.
Dhuna u rrit.
Ironia është se sot Veton Surroi nuk thotë se nuk është dashur që ushtarët shqiptarë të ktheheshin në arkëmorte nga Armata Jugosllave
Thotë se nuk është dashur të protestohej kundër vrasësve.
…
Hap Facebook-un.
– Nën fotografinë e Sali Berishës, burra me emër e mbiemër shkruajnë:
“Ma hëngsh prapanicën.”
…
Nën fotografinë e Edi Ramës, mijëra njerëz ia urojnë vdekjen.
Në protestë mbajnë arkëmort.
E varrosin simbolikisht në ditëlindjen e tij.
Luajnë me vdekjen sikur ajo u ndodh vetëm të tjerëve.
Sikur vdekja të ishte dënim vetëm për njerëzit e këqij.
…
Burrat shajnë.
Gratë mallkojnë.
Një vajzë e vrau të dashurin.
Qindra komente e duartrokitën.
…
Një hoxhë u vra.
Dikush ia uroi vrasësit:
“Të lumtë thika.”
…
Një grua u plak.
Pesëqind njerëz e gjykuan trupin e saj.
…
Nëse nuk i nënshtrohesh thikës estetike,
i nënshtrohesh thikës së gjuhës shqiptare.
Sepse standardi është ky:
Nëse dukesh bukur,
s’je reale.
Nëse nuk dukesh bukur,
si s’të vjen turp.
Paradoksalisht,
edhe revistat e dedikuara grave,
të drejtuara nga gratë,
janë përndjekëset më të zellshme të pamjes së grave.
…
Urrejtja u bë mënyra më popullore e argëtimit.
Ilaç kundër palumturisë personale.
Jo pse ka
më shumë arsye për t’u zemëruar.
Por sepse zemërimi ka më shumë publik.
…
EPILOG
Urrejtja pa shkas.
Urrejtja për njeriun që nuk e njeh.
U bë normale.
U bë zbavitje.
Dhe dikush e shpërblen këtë.
Algoritmi nuk shpërblen qetësinë.
Shpërblen zemërimin.
Sa më shumë zemërohesh,
aq më shumë dëgjohesh.
Dhe shqiptarët
u bënë të varur nga zemërimi.
Sepse urrejtja jep një ndjenjë të rreme madhështie.
Kur nuk mund ta qetësosh veten,
përpiqesh ta nervozosh tjetrin.
Kur nuk mund ta arrish atë që ke dashur,
e arrin një koment kundër atij që e ka arritur.
Kur nuk mund të bëhesh i madh,
mjafton ta shpallësh tjetrin të vogël.
Kjo është droga më e lirë shqiptare.
Urrejtja.
…
P.S.
Dashuria u bë lajm.
I dashuruari u bë i dyshuar.
Dhe pa lexues.
Askush nuk dyshon në urrejtjen tënde.
Vetëm dashuria detyrohet të dëshmojë se është e vërtetë.
…
AUTOKRITIKË
Mos ka ardhur koha të fshehesh?