Këshilltari joformal për çështje fetare i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pastori Mark Burns, po qëndron për vizitë në Manastirin e Deçanit – manastir mesjetar i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.
Sipas njoftimit të Kishës Ortodokse Serbe, igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, e njohu Burnsin me “historinë e pasur të kësaj faltoreje, e cila ndodhet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s”.
Burns mbërriti në Kosovë më 5 korrik, ku, në shoqërinë e patriarkut serb Porfirije, vizitoi edhe Patriarkanën e Pejës.
“Nuk kam ardhur për të thelluar ndarjet. Kam ardhur të dëgjoj, të lutem dhe të mbështes paqen, pajtimin dhe shërimin në mbarë Kosovën dhe Ballkanin. Zoti e mbroftë çdo familje, çdo kishë, çdo manastir dhe çdo komunitet që përpiqet të jetojë në paqe”, shkroi Burns në rrjetin social X.
Përndryshe, liritë fetare përmenden edhe në Marrëveshjen për Normalizimin Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit, e cila është nënshkruar në shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit Trump.
Në marrëveshje thuhet, mes tjerash, se “të dyja palët angazhohen të respektojnë liritë fetare, përfshirë rivendosjen e dialogut ndërfetar, mbrojtjen e objekteve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore që mbrojnë Kishën Ortodokse Serbe”.