Pishina e Gërmisë mbyllet përkohësisht, Redenica: Përgjegjësit po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve

Prishtinë | 08 Kor 2026 | 12:25 | Nga Ekonomia Online

 Pishina e Gërmisë është mbyllur përkohësisht pas një kërkese të Inspektoratit Sanitar, ndërsa rihapja e saj do të bëhet vetëm pasi të përfundojnë analizat e mostrave të ujit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), raporton Ekonomia Online.

Lidhur me situatën ka folur asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Enver Redenica, i cili tha se analizat e ujit kryhen sa herë që paraqitet nevoja dhe se vlerësimin për cilësinë e tij e bëjnë institucionet kompetente.

“Sa herë që ka nevojë, domethënë, kur ky ujë është shqetësues, i bëjmë analizat. Edhe kërkesat e qytetarëve i adresojmë aty ku duhet. Nuk jam unë ai që i bën analizat. Është IKSHPK-ja dhe Inspektorati që i bëjnë analizat, jo unë. Ata po thonë që uji është i papastër, jo unë. Domethënë, ashtu e kam parë”, deklaroi Redenica.

I pyetur nëse mbyllja e pishinës po përdoret për qëllime politike, Redenica tha se ai përfaqëson interesat e qytetarëve dhe rikujtoi se pishina është mbyllur edhe vitin e kaluar për shkak të problemeve të ngjashme.

“Po tash, kushdo që e ka bërë këtë, ndoshta mendon se e ka bërë qëllimshëm. Unë jam i Vetëvendosjes dhe jam zëri i qytetarëve. Kam qenë kryetar i bashkësisë lokale të kësaj pjese, dhe pikërisht vitin e kaluar, dy-tri herë është mbyllur dhe është përmirësuar vazhdimisht. Që pesë vite e menaxhon ndërmarrja ‘Sport Marketing’ dhe Përparim Rama, por nuk janë në gjendje të blejnë një aparat për filtrimin e ujit, që të punojë dhe të performojë. Me këtë unë mendoj se ai ka bërë vepër penale, për arsye se rrezikon edhe jetën e qytetarëve”, u shpreh ai.

Pishina e Gërmisë do të mbetet e mbyllur deri në publikimin e rezultateve të analizave të IKSHPK-së dhe vlerësimit të institucioneve përgjegjëse për sigurinë e ujit.

Të ngjashme