Policia britanike njoftoi se ka nisur një hetim për vrasje lidhur me vdekjen e Ann Widdecombe, ish-ministre e qeverisë, 78 vjeçe, vdekja e së cilës u bë publike më herët gjatë së premtes.
Widdecombe ishte deputete e Partisë Konservatore nga viti 1987 deri në vitin 2010 dhe mbajti disa poste si ministre e nivelit të ulët në qeverinë e ish-kryeministrit John Major, raporton CNN.
“Hetimi ynë për vrasje është ende në fazat e hershme, por po përparon me ritëm të shpejtë,” tha Policia e Devon dhe Cornwall në një deklaratë.
“Po angazhojmë të gjitha burimet e nevojshme për të zbuluar saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe për të gjetur personin përgjegjës, për të cilin besojmë se është një mashkull i bardhë.”
Policia tha se u thirr në adresën e Widdecombe rreth mesditës së së enjtes, ku ajo u gjet pa shenja jete dhe me plagë të rënda. Ata shtuan se ekzaminimet mjeko-ligjore në banesë po vazhdojnë.
Ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, shkroi në platformën X se ishte thellësisht e pikëlluar dhe i përshkroi rrethanat e vdekjes si “jashtëzakonisht tronditëse”.
Dy deputetë britanikë në detyrë janë vrarë gjatë dekadës së fundit.
Deputetja e Partisë Laburiste, Jo Cox, u qëllua me armë zjarri dhe u godit me thikë nga një ekstremist i vetmuar i fiksuar pas ideologjisë naziste gjatë fushatës për Brexit në vitin 2016. Deputeti konservator David Amess u vra me thikë në vitin 2021 nga një burrë i frymëzuar nga grupi militant Shteti Islamik.
Widdecombe njihej për pikëpamjet e saj konservatore në çështjet shoqërore
Gjatë gjithë karrierës së saj politike, Widdecombe ishte e njohur për qëndrimet e saj konservatore në çështjet shoqërore, përfshirë kundërshtimin ndaj abortit dhe ndaj barazimit të moshës së pëlqimit për marrëdhëniet homoseksuale dhe heteroseksuale.
Ajo gjithashtu mbrojti politikën e vendosjes së prangave grave shtatzëna të burgosura gjatë lindjes së fëmijës, për të parandaluar arratisjen e tyre.
Megjithëse nuk u martua kurrë dhe e përshkruante veten si të virgjër, e konvertuara në fenë katolike promovonte vlerat tradicionale të familjes.
Pas largimit nga Parlamenti, ajo mori pjesë në emisionin televiziv të kërcimit “Strictly Come Dancing” në vitin 2010. Pavarësisht stilit të saj të ngathët në kërcim dhe kritikave nga juria, ajo ishte shumë e pëlqyer nga publiku.
Më vonë iu bashkua Partisë së Brexit-it të Nigel Farage dhe shërbeu si deputete në Parlamentin Evropian nga viti 2019 deri në vitin 2020. Posti i saj më i fundit ishte zëdhënëse për çështjet e emigracionit në Reform UK, partia e ribranduar e Brexit-it, e cila kryeson në shumicën e sondazheve të opinionit.
Pas njoftimit për vdekjen e saj, dhe para se të bëheshin publike detajet e hetimit për vrasje, ish-kolegë nga Partia Konservatore dhe Reform UK i bënë homazhe.
Ish-kryeministri konservator Boris Johnson shkroi në platformën X se ajo ishte “një mbështetëse heroike e Brexit-it dhe një oratore e shkëlqyer, e cila arrinte të entuziazmonte aq shumë audiencat konservatore, sa ishte shumë e vështirë të flisje pas saj”.