Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ndarë përvojën e saj mbi lidershipin, sfidat e udhëheqjes dhe rëndësinë e përfshirjes së grave dhe grupeve të margjinalizuara në vendimmarrje, gjatë një diskutimi të organizuar në kuadër të “Prishtina International Summer University”, raporton Ekonomia Online.
Ajo rikujtoi rrethanat në të cilat u zgjodh presidente për siç tha ajo në kulmin e një krize të thellë politike.
“Ishim ndërmjet viteve 2010 dhe 2011, nëse mund ta quaj kështu, në një krizë mjaft të thellë politike. Dhe sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse një president nuk zgjidhet brenda raundit të tretë të votimit, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme. Në atë kohë, brenda një viti, Kosova ishte gati të hynte në raundin e tretë të zgjedhjeve parlamentare dhe ne po përballeshim me një nivel mjaft të polarizuar të skenës politike në Kosovë, gjë që është normale, në kllapa, për pjesën juglindore të Evropës, por momenti i Kosovës në atë kohë ishte paksa ndryshe.
Ne ishim sapo në vitin e tretë të shpalljes së pavarësisë dhe disa kriza në momente të caktuara nuk mund të përballohen shumë, ose mund të transformohen negativisht për të ardhmen e vendit. Pra, disi në atë kohë elitat politike në vend erdhën me idenë dhe propozimin për të nominuar një kandidat konsensual si kandidat të mundshëm për kreun e shtetit, sepse deri në atë kohë, asnjë nga emrat e rekomanduar ose të propozuar, pavarësisht nëse vinin nga partitë politike apo deri nga akademia, nuk po gjeneronin votat që kërkoheshin, të cilat nevojiten për zgjedhjen e Presidentit. Dhe kështu, vendi ishte disi duke degraduar më tej në një krizë shumë më të thellë”, tha ajo.
Jahjaga foli për sukseset e saj ndër vite, duke theksuar rëndësinë e të qenurit presidentja e parë femër në Kosovë.
“Ngadalë, unë u ngrita nëpër detyra dhe, në moshën 30-vjeçare, u bëra gjenerale, një gjenerale me një yll e Policisë së Kosovës, gjë që e bëri Kosovën dhe Policinë e Kosovës në atë kohë vendin e parë në botë që kishte një grua shumë të re që arrinte gradën e gjenerales, pa e ditur se në moshën 34-vjeçare, do të shkruaja një tjetër histori, duke u bërë gjenerale me pesë yje, gruaja më e re që mban atë gradë globalisht. Përsëri, pa e ditur se një vit më vonë, do të bëja një tjetër histori për gratë e Kosovës duke u bërë presidentja e parë e Republikës së Kosovës. Dhe duke iu kthyer pyetjes fillestare, pra, ishte një diskutim mjaft i vështirë; ndoshta një ditë do të mund të shkruaj disa kujtime, ku do t’i ndaj publikisht, por për momentin, për shkak të ndjeshmërisë politike, koha nuk është e duhur për të ndarë disa gjëra që nuk kanë qenë publike dhe ende nuk janë publike. Sepse, doni apo s’doni, kur jeni presidente dhe përfaqësuese e lartë institucionale, keni disa detyrime kushtetuese dhe ligjore, shumë kohë pasi t’ia dorëzoni zyrtarisht detyrën tuaj, dhe veçanërisht në rolin si presidente”, tha ajo.
Jahjaga poashtu tha se në momentin kur je në pushtet, gjithçka duhet bërë për popullin, për shtetin, e jo për vete.
“Nuk ka pasur asnjë moment të vetëm që të ketë qenë pyetje për mua, ose që unë të kem ngritur një pyetje për veten time si Atifete Jahjaga, se ku do të jem më pas. Kërkesat e mia të vazhdueshme dhe flamujt që ngrita ishin për shtetin, ishin për popullin, për proceset që kishim, sepse unë jam edukuar kështu gjatë gjithë jetës sime. Sa herë që jeni në një pozitë shumë të lartë, nuk bëhet fjalë për ju. Bëhet fjalë për shtetin, për popullin dhe institucionet të cilat ju po i udhëhiqni ose jeni gati t’i udhëhiqni. Dhe kështu, kufijtë e mospranimit të asaj oferte ishin, më mirë thënë, inekzistente, sepse vendi po shkonte gjithnjë e më thellë në krizën politike të asaj kohe. Dhe kështu, unë e pranova atë ofertë për të qenë kandidatja konsensuale”, u shpreh ajo.
Jahjaga tregoi kontributin e saj për gratë, minoritetet, e poashtu për grupet e margjinalizuara.
“Në një farë mënyre, unë e kam zgjeruar tryezën e vendimmarrjes dhe kam shtuar më shumë karrige për të gjithë ata që për shumë kohë kanë mbetur jashtë procesit të vendimmarrjes, ndonëse ata janë të ndikuar nga procesi ynë i vendimmarrjes. Kam shtuar më shumë karrige për gratë. Kam shtuar më shumë karrige për komunitetet e tjera minoritare, si dhe për komunitetet e margjinalizuara. Doja që të gjithë të ishin pjesë e procesit tim të vendimmarrjes, sepse bëhet fjalë për shtetin, bëhet fjalë për popullin, sepse ne jemi shërbëtorët e tyre dhe sa më shpejt ta kuptojmë këtë si bindje politike, qoftë në Kosovë ose kudo qoftë në botë, ne jemi shërbëtorët tuaj dhe duhet të kuptojmë se cili është shërbimi më i mirë që mund t’i ofrojmë vendit tonë dhe popullit tonë”, u shpreh ajo.


