Bashkimi Evropian ka paralajmëruar ndërmarrjen e hapave për të kufizuar qasjen e fëmijëve në rrjetet sociale në të gjitha 27 vendet anëtare.
Kështu ka thënë të hënën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ajo ka bërë thirrje për masa më të forta për mbrojtjen e fëmijëve në internet, duke theksuar se provat e paraqitura nga Paneli Special për Sigurinë e Fëmijëve në Internet duhet të shërbejnë si bazë për politikat e ardhshme të Bashkimit Evropian.
Von der Leyen tha se po forcohet mbështetja për vendosjen e një moshe minimale për qasjen në mediat sociale, duke propozuar një qasje të diferencuar sipas grupmoshave.
Sipas saj, fëmijët nën moshën 13 vjeç duhet të kenë akses në platformat sociale vetëm nën mbikëqyrjen e të rriturve dhe për periudha të kufizuara.
“Është e qartë se kemi nevojë për kufizime të përshtatshme sipas moshës për platformat. Pyetja nuk është më nëse fëmijët përballen me rreziqe në internet, por çfarë mund të bëjmë që t’u ofrojmë atyre një fillim më të sigurt në botën online”, u ka thënë ajo gazetarëve në Bruksel.
Sipas të dhënave të paraqitura, të rinjtë kalojnë mesatarisht katër deri në gjashtë orë në ditë para ekraneve, ndërsa afro 60% e fëmijëve kanë përjetuar probleme emocionale ose psikosociale gjatë përdorimit të internetit.