Trump kërcënon ta marrë nën kontroll Ngushticën e Hormuzit teksa sulme të reja trondisin Gjirin

Prishtinë | 13 Kor 2026 | 17:07 | Nga Ekonomia Online

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të hënën se Shtetet e Bashkuara mund të bëhen “engjëlli mbrojtës” i Ngushticës së Hormuzit, pas një vale të re sulmesh ajrore, të nxitura nga aktivitetet në këtë rrugë jetike ujore, që tronditën rajonin e Gjirit.

Në një intervistë telefonike për Fox News të hënën, Trump tha se nëse Shtetet e Bashkuara e marrin kontrollin e ngushticës, ato duhet të kompensohen për këtë detyrë.

Nëpër këtë ngushticë kalonin rreth një e pesta e transportit botëror të naftës dhe gazit në kohë paqeje, dhe ajo tani është bërë një nga fushëbetejat kryesore të konfliktit.

“Ne do ta mbajmë ngushticën dhe me shumë gjasa do ta administrojmë atë. Do të bëhemi mbrojtësi i ngushticës. Ndoshta do ta quajmë engjëlli mbrojtës i ngushticës. Dhe, duhet të na kompensojnë për këtë”, tha ai, pa dhënë hollësi të tjera.

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) thanë të hënën se e vetmja mënyrë për ta rikthyer lundrimin nëpër ngushticë është ndërprerja e ndërhyrjes ushtarake amerikane në këtë rrugë ujore.

Ndërkohë, Trumpi e bëri këtë kërcënim pak pasi Shtetet e Bashkuara goditën shënjestra në jug të Iranit si përgjigje ndaj sulmeve të Teheranit kundër anijeve në Ngushticën e Hormuzit, gjë që nxiti sulme iraniane ndaj fqinjëve të tij në Gjirin Persik.

Sulmet ndaj Iranit

Shpërthime pati gjatë gjithë mëngjesit të së hënës në disa pjesë të Iranit, përfshirë pak para mesditës në qytetin e portit, Bandar Abbas, dhe në ishullin Qeshm, që ndodhet në ngushticë.

Komanda Qendrore Amerikane, CENTCOM, tha në një deklaratë se forcat e saj kishin nisur “sulme të tjera kundër Iranit për të vazhduar dobësimin e aftësisë së tij për të sulmuar marinarët civilë dhe anijet tregtare që kalojnë lirshëm nëpër Ngushticën e Hormuzit”.

Një deklaratë e dytë, e publikuar më vonë gjatë paradites të hënën, shtoi se vala e sulmeve kishte përfunduar.

“Forcat e CENTCOM-it goditën sistemet iraniane të mbrojtjes ajrore, radarët bregdetarë, kapacitetet raketore dhe të dronëve, si dhe mjetet e vogla lundruese, duke përdorur avionë luftarakë amerikanë, anije luftarake, dronë ajrorë njëpërdorimesh dhe për herë të parë dronë detarë njëpërdorimesh”, tha CENTCOM.

“Ngushtica e Hormuzit është një korridor detar jetik për tregtinë globale. Irani nuk e kontrollon atë.”

Të dhënat mbi transportin detar të hënën treguan se kalimi i cisternave të naftës kishte rënë në nivelin më të ulët të dy muajve të fundit.

Aleatët arabë të SHBA-së në Gjirin Persik raportuan gjithashtu për sulme me raketa iraniane, të lëshuara si kundërpërgjigje ndaj veprimeve amerikane.

IRGC-ja deklaroi se kishte goditur caqe ushtarake amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt, kishte shkatërruar sisteme të radarit në Oman dhe kishte goditur depo karburanti dhe municionesh në Bazën Ajrore “Prince Hassan” në Jordani. Këto pretendime nuk mund të verifikoheshin menjëherë.

Agjencia iraniane e lajmeve ISNA raportoi për dy të vdekur në qytetin industrial Abadan, pranë kufirit me Irakun, si pasojë e sulmeve. Edhe ky pretendim nuk mund të verifikohej menjëherë.

Bahrejni ndërkohë deklaroi se “kishte kapur dhe shkatërruar me sukses disa sulme ajrore të pabesa iraniane”, duke e akuzuar Teheranin për “sulme të paligjshme me raketa dhe dronë që kishin në shënjestër civilët”.

“Komanda e Përgjithshme theksoi se përdorimi i qëllimshëm i raketave dhe dronëve kundër civilëve dhe pronës private përbën shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare humanitare”, thuhej në deklaratë.

Shkëmbimet e sulmeve gjatë fundjavës përbejnë përshkallëzim të madh të konfliktit, duke vënë në dyshim marrëveshjen e përkohshme të nënshkruar muajin e kaluar për rihapjen e ngushticës dhe ndërprerjen e armiqësive derisa palët do të zhvillonin bisedime 60-ditore për paqe.

Trump tha javën e kaluar se Memorandumi i Mirëkuptimit ishte i pavlefshëm sipas mendimit të tij, megjithëse shtoi se negociatorët mund të vazhdonin bisedimet nëse mendonin se mund të arrihej përparim drejt një marrëveshjeje paqeje.

“Njerëz të këqij dhe të sëmurë”

Por, fundjava me sulme i zbehu edhe më shumë këto shpresa.

Trump i tha CNN-it të dielën se “i goditëm shumë fort” dhe shtoi se Uashingtoni dhe Teherani ishin pranë arritjes së një marrëveshjeje përpara përshkallëzimit të fundit të tensioneve.

“Ata po hiqnin dorë nga gjithçka, e më pas, vetëm dy orë më vonë, goditën një anije me dron. Këta njerëz kanë diçka që nuk shkon”, tha Trump.

“Janë njerëz shumë, shumë të këqij dhe të sëmurë”, u shpreh ai në një intervistë tjetër për NBC.

“Kishim takime me ta. Dje ranë dakord për një marrëveshje – një marrëveshje të përkryer për ne. Pa armë bërthamore, pa këtë, pa atë… kishin hequr dorë nga gjithçka. Pastaj dolën nga salla dhe, brenda një ore, lëshuan një dron drejt anijes. U thashë: ‘Ju jeni njerëz të sëmurë. Jeni të sëmurë’”, shtoi Trump.

Ai, po ashtu, pretendoi se, pavarësisht deklaratave të Iranit, trafiku detar në Ngushticën strategjike të Hormuzit po vazhdonte normalisht.

“Ajo është e hapur”, tha Trump.

Edhe CENTCOM deklaroi se kjo rrugë ujore vazhdon të jetë e hapur për lundrim.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, u takua gjatë fundjavës me ministrin e Jashtëm të Omanit, Sayyid Badr Albusaidi, për të diskutuar mekanizmat që do të garantonin lundrim të sigurt në Ngushticën e Hormuzit, sipas Teheranit.

Më herët, Omani tha se diskutimet me Iranin do të vazhdonin si në nivel teknik ashtu edhe politik, në përpjekje për të arritur marrëveshje në përputhje me të drejtën ndërkombëtare lidhur me lundrimin në këtë rrugë ujore.

Në këto diskutime nuk morën pjesë zyrtarë amerikanë.

Radio Evropa e Lirë mësoi nga burime diplomatike se ndërmjetësit nga Omani i dorëzuan delegacionit iranian propozime për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi lundrimin detar. Zyrtarët e lartë nuk pranuan të komentonin përmbajtjen e propozimeve.

Sipas burimeve diplomatike, Irani u largua nga negociatat duke thënë se do të rikthehej pasi të arrinte një qëndrim të brendshëm mbi propozimet, të cilat do të lejonin lirinë e lundrimit pa tarifa në ujërat e Omanit në pjesën jugore të ngushticës.

Pak më vonë, aparati i sigurisë kombëtare të Iranit u përgjigj duke qëlluar mbi një anije tregtare dhe duke shpallur mbylljen e rrugës ujore.

Muajt e fundit, Trump ka promovuar atë që ai e quan “Autostrada Jugore”, një rrugë detare që i mban anijet më afër bregdetit të Omanit dhe më larg ujërave territoriale iraniane.

Teherani ka këmbëngulur vazhdimisht se vetëm rruga që ai preferon, më afër bregdetit iranian, konsiderohet e sigurt, dhe më parë është akuzuar për sulme ndaj anijeve që përdornin rrugën e Omanit.

Lufta e fjalëve rrit rrezikun

Përballja e fundit u zhvillua në një sfond politik gjithnjë e më të paqëndrueshëm.

Udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, u zotua për hakmarrje për vrasjen e babait dhe paraardhësit të tij, Ali Khamenei, duke thënë se hakmarrja “duhet të kryhet patjetër”.

Ali Khamenei, i cili u vra në sulmet ajrore amerikano-izraelite më 28 shkurt, kur shpërtheu lufta, u varros më 9 korrik në faltoren “Imam Reza” në Mashhad.

“Kjo çështje nuk varet as nga ekzistenca ime personale dhe as nga ajo e zyrtarëve të tjerë. Pavarësisht nëse jemi këtu apo jo, ajo do të ndodhë”, tha ai, duke shtuar se Irani kishte përpiluar një listë personash që do të viheshin në shënjestër.

Disa orë më herët, Trump paralajmëroi se çdo tentativë për ta vrarë atë do të shkaktonte një kundërpërgjigje dërrmuese ushtarake amerikane.

“1000 raketa janë gati për lëshim dhe të drejtuara ndaj Republikës Islamike të Iranit, ndërsa mijëra të tjera do të pasojnë menjëherë”, shkroi Trump në Truth Social, duke thënë se Shtetet e Bashkuara do ta “shkatërronin plotësisht” Iranin nëse një kërcënim i tillë do të materializohej.

Këto zhvillime vijnë pas një armëpushimi të përkohshëm që kishte ndalur për pak kohë luftimet pas konfliktit që shpërtheu në fund të shkurtit me sulme masive amerikano-izraelite kundër Iranit. Trump që atëherë ka deklaruar se armëpushimi praktikisht ka përfunduar, ndërsa ka thënë se mbetet i hapur për rifillimin e negociatave.

Ndërkohë, në Britani, qeveria e ka shpallur IRGC-në si kërcënim për sigurinë kombëtare.

“Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike, IRGC, është komponent qendror i aparatit të sigurisë së shtetit iranian, që i përgjigjet drejtpërdrejt udhëheqësit suprem të Iranit”, tha ministrja e Brendshme, Angela Eagle, në një deklaratë me shkrim.

“Roli i tij shkon shumë përtej atij të një force ushtarake konvencionale. Ai përfshin veprimtari të inteligjencës, përdorimin e aktorëve të ndërmjetëm dhe projektimin e ndikimit me qëllim avancimin e objektivave shtetërore të Iranit”, shtoi ajo. /REL

Të ngjashme