Tre persona janë arrestuar pas një përleshjeje fizike që ka ndodhur të hënën pasdite në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan.
Lajmin për Ekonomia Online e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e këtij qyteti, Valon Osmani, i cili bëri të ditur se rasti është evidentuar rreth orës 16:36. Sipas tij, me ndërhyrjen e menjëhershme të policisë në vendin e ngjarjes, janë arrestuar tre persona të dyshuar si të përfshirë në këtë incident.
Sipas hetimeve fillestare, gjatë rrahjes të dyshuarit dyshohet se kanë poseduar një edhe një thikë.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e hetimeve dhe krim-teknikës, të cilat kanë kryer veprimet e nevojshme procedurale”, shtoi Osmani.
Ndër të tjera, policia ka bërë të ditur se nuk raportohet për persona të lënduar nga rrahja apo nga përdorimi i mjetit të mprehtë. Megjithatë, dy nga personat e përfshirë kanë pranuar trajtim mjekësor për shkak të shqetësimeve.
Lidhur me rastin, hetimet po vazhdojnë nga Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Gjilan, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes.