Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) është mbajtur mbledhja e 45-të e bordit të akademisë, e kryesuar nga kryesuesi i bordit dhe drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani.
Në takim morën pjesë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, drejtori i përgjithshëm i AKSP-së, Shpend Shabani, përfaqësuesi i Shërbimit Sprovues të Kosovës, Driton Zogiani, si edhe përfaqësues të OSBE-së dhe zyrtarë të lartë të akademisë.
Gjatë mbledhjes u shqyrtuan çështje me rëndësi për zhvillimin e akademisë, ndërsa bordi miratoi kuotat për pranimin e studentëve në programin bachelor “Siguria publike” për vitin akademik 2026/2027.
Po ashtu, anëtarët e bordit diskutuan për procesin e riakreditimit të programit të studimeve, përgatitjet për konferencën e pestë shkencore ndërkombëtare të AKSP-së, si dhe rishikimin e planit të trajnimeve për vitin 2026.
