Kryetari i komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, pas intervistimit nga Prokuroria Speciale, ka thënë se ishte aty në cilësinë e dëshmitarit rreth hetimeve për rastin e shpronësimeve në Shipitullë për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, kjo është “një temë e përgatitur prej moti nga rivalët e tij politikë”, ndërsa tha së është shumë i kënaqur që Prouroria ka filluar ta hetojë rastin.
“Jo, kjo është një temë e përgatitur prej moti nga rivalët e mi politikë. Më kanë përfshirë në çështjen e shpronësimeve në fshatin Shipitullë. Unë jam shumë i kënaqur që Prokuroria ka filluar të merret me këtë çështje dhe i bëj thirrje Prokurorisë që ta hetojë deri në fund. Po ashtu, i kam bërë thirrje edhe nga Kuvendi që të hetohet çdo keqpërdorim i mundshëm në ato pjesë”, tha Thaçi.
Lidhur me intervistimin nga Prokuroria, ai tha se është përgjigjur për gjithçka që ka ditur.
“Po, si dëshmitar, ata natyrisht që më pyetën për çdo gjë dhe unë, për çka do që di, do t’i përgjigjem prokurorit. Që në fillim te prokurori kam treguar se vetë ‘Kallxo.com’ për tre muaj rresht më ka telefonuar. Vetë pronari i ‘Kallxo.com’ ka kërkuar të takohem me të, që të mos publikohej videoja, dhe sigurisht edhe ti e di këtë”, tha ai.
Thaçi shtoi se pretendimet e tij janë të bazuara dhe se nuk do t’u nënshtrohet presioneve.
“Po, sigurisht që po, i kam të bazuara dhe nuk kam rënë pre e shantazheve të mediave, e asnjëherë nuk do të bie. Kurrë nuk do të shantazhohem e as nuk do të kërcënohem. Unë do të jem gardian i të drejtave të qytetarëve të mi. Faleminderit”, tha Thaçi.
