Policia e rajonit të Pejës ka dhënë detaje lidhur me vjedhjen e rëndë në rrugën “Myrvete Maksutaj”, ku një mërgimtareje dyshohet se iu vodhën 94 mijë franga nga valixhja e saj.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, tha për Ekonomia Online se rasti ka ndodhur mëngjesin e sotëm.
Sipas tij, njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë takuar viktimën. Ajo ka deklaruar se kishte ardhur nga një shtet evropian më 12 korrik në banesën e prindërve të saj dhe se në bagazhin e saj kishte një shumë të konsiderueshme parash, e cila dyshohet se i është vjedhur.
Pos tjerash, ai deklaroi se viktima është intervistuar nga ana e autoriteteve, ndërkohë bëri të ditur se ende nuk ka të arrestuar.