Një incident i rëndë ka ndodhur të mërkurën në mëngjes në qytetin e Dresdenit, në Gjermani, ku policia qëlloi dhe plagosi një burrë 41-vjeçar të armatosur pranë një supermarketi.
Sipas autoriteteve gjermane, rreth orës 08:20 policia u njoftua nga qytetarët se një person i armatosur ndodhej pranë një marketi në lagjen Friedrichstadt.
Në vendin e ngjarjes u dërguan menjëherë forca të specializuara. Policia bëri të ditur se i dyshuari mbante në duar një armë dhe, sipas deklaratës zyrtare, e drejtoi atë ndaj efektivëve, duke qëlluar në drejtim të tyre.
Si reagim, disa policë përdorën armët e shërbimit, duke e plagosur 41-vjeçarin, i cili më pas u neutralizua dhe u dërgua në spital për trajtim, raporton Bild.de, transmeton Klankosova.tv.
Sipas policisë, pas të shtënave burri ka bërtitur një shprehje fetare islame. Ndërkohë, dëshmitarë të cituar nga mediat lokale kanë deklaruar se ai kishte thirrur “Allahu Akbar” gjatë incidentit.
Autoritetet kanë nisur hetime ndaj tij për kanosje dhe shkelje të ligjit për armët. Po ashtu, nën hetim është edhe përdorimi i armëve nga policia, për të vlerësuar nëse ndërhyrja ka qenë në përputhje me ligjin.
Hetuesit ende nuk kanë konfirmuar nëse arma që mbante i dyshuari ishte funksionale apo e aftë për të qëlluar, ndërsa motivi i pranisë së tij pranë supermarketit mbetet i paqartë.
Zona përreth supermarketit u rrethua për disa orë, ndërsa policia ka bërë të ditur se aktualisht nuk ekziston rrezik për qytetarët.