Një ngjarje tragjike ka tronditur shtetin e Floridës, ku një djalë 4-vjeçar qëlloi aksidentalisht për vdekje kushëririn e tij 2-vjeçar me një armë zjarri që ishte lënë pa masa sigurie brenda një automjeti.
Sipas autoriteteve, policia u thirr të dielën pasdite në një banesë në Kissimmee, ku gjeti të miturin, Brayden Tennyson, me plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit. Ai u transportua me urgjencë në spital, por mjekët nuk arritën t’i shpëtonin jetën. Vogëlushi do të festonte ditëlindjen e tretë të martën, shkruan ABC News.
Sherifi i Qarkut Osceola, Chris Blackmon, bëri të ditur se dy fëmijët ndodheshin vetëm brenda makinës, kur 4-vjeçari gjeti armën e nënës së Brayden, e cila ishte lënë e pasiguruar, dhe e shkrepur aksidentalisht, duke e goditur për vdekje kushëririn e tij.
“Arma ishte lënë krejtësisht e ekspozuar. Nuk ishte as në këllëf. Ishte shumë e lehtë për një fëmijë ta merrte në dorë dhe të tërhiqte këmbëzën. Fatkeqësisht, kjo nuk është një lojë video dhe pasojat nuk mund të zhbëhen”, deklaroi Blackmon gjatë një konference për media.
Familja kishte udhëtuar nga Louisville, në shtetin e Georgias, drejt Floridës për pushime dhe po qëndronte në një shtëpi me qira.
Sipas Zyrës së Sherifit, të afërmit ndodheshin jashtë automjetit dhe ende nuk kishin hyrë në banesë, kur dëgjuan një të shtënë që erdhi nga brenda makinës.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Sherifi Blackmon tha se pritet të ngrihen akuza ndaj personave përgjegjës për mosruajtjen e armës, ndërsa prokuroria ka deklaruar se, për shkak se hetimet janë ende në zhvillim, nuk mund të japë më shumë detaje në këtë fazë.