Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ilir Ferati, ka mohuar raportimet në media se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kanë arritur një marrëveshje në parim për formimin e institucioneve.
Në një bisedë për Gazetën Express, Ferati ka bërë të ditur se aktualisht sekretariati i LDK-së është i angazhuar me procedurat e brendshme pas dorëzimit të nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë.
“Sot janë pranu nënshkrimet dhe si sekretariat po merremi me verifikimin preliminar të nënshkrimeve dhe me të gjitha procedurat tjera statutare për përgatitjen e kuvendit të jashtëzakonshëm”, ka deklaruar Ferati.
Ai ka demantuar zërat për një marrëveshje të arritur në parim mes Kurtit dhe Abdixhikut për bashkëqeverisje, duke thënë se nuk ka asnjë informacion të tillë nga kryetari i LDK-së.
“Unë nuk e kam asnjë informacion nga kryetari Abdixhiku lidhur me raportimet në media, anipse gjithëditën kanë qenë në seli bashkë me bashkëpunëtorët”, ka përfunduar Ferati.