Pacolli i përgjigjet Hykmete Bajramit: Flisni me Gazmend Muhaxherin për Deponinë e Sferkës

Prishtinë | 15 Kor 2026 | 20:15 | Nga Ekonomia Online

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, i është kundërpërgjigjur deputetes së zgjedhur të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, pas kritikave të kësaj të fundit për gjendjen në Deponinë e Sferkës.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka thënë se Bajrami, në vend të kritikave ndaj Qeverisë, duhet t’i drejtohet kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, për të cilin tha se është përgjegjës për menaxhimin e deponisë.

“E nderuara nënkryetare e LDK-së, Hykmete Bajrami, bashkëpunëtore e ngushtë me njeriun që është përgjegjës për Deponinë e Sferkës, Gazmend Muhaxheri! Në vend se të derdhësh lotë krokodili duke përdorur fjalë melankolike për gjendjen në Deponinë e Sferkës, pra vendlindjes tënde, është mirë të flasësh me zotin Muhaxheri, i cili ka nën menaxhim këtë deponi”, ka shkruar Pacolli.

Ajo ka akuzuar Bajramin për përpjekje për të manipuluar opinionin publik, duke e zhvendosur përgjegjësinë nga autoritetet lokale.

“Përpjekja për ta manipuluar publikun me procese që nuk kanë fare lidhje me menaxhimin aktual të deponisë, siç është investimi që po përgatitet nga KMDK-ja e Qeveria për ta trajtuar këtë situatë, nuk mund ta shkarkojë përgjegjësinë që ka bashkëpartiaku yt në krye të Komunës së Pejës”, ka theksuar ajo.

Pacolli shtoi se, sipas saj, nëse Bajrami është e shqetësuar për gjendjen e deponisë, duhet të kërkojë llogari nga kryetari i Pejës.

“Është fort e kollajshme që si një centrifugë të provosh ta shpërndash fajin tek ata që po përpiqen ta adresojnë këtë situatë, vetëm për ta mjegulluar përgjegjësinë për menaxhim të kësaj deponie. Nëse të dhemb shpirti për vendlindjen siç e thua, do t’i shkoje në zyrë kryetarit të Pejës për ta pyetur pse nuk ndërmerr asnjë hap për ta trajtuar sado pak këtë deponi”, është shprehur ministrja në detyrë.

Pacolli ka siguruar se institucionet qendrore kanë ndërmarrë hapa për adresimin e problemit.

“Në anën tjetër ne ju sigurojmë që kemi bërë hapa drejt zgjidhjes së qëndrueshme të çështjes së deponisë së Sferkës”, ka shtuar ajo.

Të ngjashme