Rastet e helmimit në Han të Elezit, deklarohet drejtoresha e Shëndetësisë

Prishtinë | 15 Kor 2026 | 21:13 | Nga Ekonomia Online

Numri i qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të simptomave gastrointestinale në Han të Elezit ka arritur në 110 raste, ndërsa institucionet shëndetësore janë në pritje të rezultateve laboratorike për të përcaktuar shkakun e kësaj situate.

Drejtoresha për Shëndetësi në Komunën e Hanit të Elezit, Kimete Kuka Hasallari, ka bërë të ditur se rastet janë paraqitur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) nga data 13 korrik e deri më tani.

“Së bashku me rastet e dyshuara për helmim ushqimor, në këtë numër përfshihen edhe pacientë me simptoma të ngjashme, të dyshuara me origjinë virusale,” ka deklaruar Kuka Hasallari.

Ajo ka bërë të ditur se pas paraqitjes së rasteve të para të dyshuara për helmim, ku pacientët kanë raportuar konsumim të ushqimit në lokale të ndryshme, është njoftuar Qendra Rajonale e Shëndetit Publik (QRSHP).

“Së bashku me inspektorin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), janë inspektuar dy biznese dhe janë marrë mostra nga mjetet e punës, enët e shërbimit dhe ushqimi për analiza laboratorike,” ka thënë ajo.

Sipas drejtoreshës së Shëndetësisë, institucionet janë në pritje të rezultateve përfundimtare, të cilat pritet të ndihmojnë në zbardhjen e shkakut të rasteve të dyshuara.

“Të gjithë pacientët po marrin trajtimin e nevojshëm sa më shpejt që është e mundur. Falënderojmë stafin shëndetësor për përkushtimin dhe kujdesin maksimal në menaxhimin e kësaj situate,” është shprehur Kuka Hasallari.

Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që, në rast të shfaqjes së simptomave si të vjella, diarre, dhimbje barku apo temperaturë, të kërkojnë menjëherë ndihmë në institucionet shëndetësore.

Të ngjashme