Lista Serbe vazhdon me narrativën e Beogradit, Simiq sulmon Rashiqin dhe institucionet e Kosovës me akuza të pabaza

Prishtinë | 15 Kor 2026 | 21:25 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka hedhur një varg akuzash ndaj ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, si dhe ndaj institucioneve të Kosovës, duke përsëritur pretendime që nuk janë mbështetur me fakte konkrete apo prova të verifikueshme.

Në një intervistë për Radio Beogradin, Simiq pretendoi se Rashiq ka arritur të marrë mandate politike falë votave të shqiptarëve dhe jo përmes mbështetjes së komunitetit serb, duke e paraqitur atë si një figurë politike pa legjitimitet brenda komunitetit serb.

Megjithatë, përfaqësimi politik në Kosovë bazohet në sistemin zgjedhor ku çdo qytetar me të drejtë vote mund të votojë kandidatin apo subjektin politik të zgjedhjes së tij, pavarësisht përkatësisë etnike. Fakti që një kandidat nga komuniteti serb merr vota edhe nga shqiptarët nuk përbën shkelje zgjedhore dhe as manipulim të procesit.

Simiq gjithashtu pretendoi se Rashiq është përdorur si “kartë e multietnicitetit” dhe se nuk gëzon mbështetje te serbët e Kosovës, duke anashkaluar faktin se zgjedhjet zhvillohen përmes votës së lirë dhe se përfaqësimi politik nuk përcaktohet nga Lista Serbe.

Në intervistë, Simiq bëri akuza edhe ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke pretenduar se qeveria e Kosovës po ushtron presion sistematik ndaj serbëve dhe se ndaj tyre janë kryer mbi 1 mijë sulme që nga ardhja e Kurtit në pushtet. Ai nuk paraqiti të dhëna, raporte apo burime që do t’i mbështesnin këto pretendime.

Pretendimet e Simiqit vijnë në kuadër të përplasjes politike mes Listës Serbe dhe përfaqësuesve të tjerë politikë serbë në Kosovë, veçanërisht Nenad Rashiqit, i cili ka ndjekur një qasje të ndryshme ndaj integrimit të komunitetit serb në institucionet e Kosovës.

Lista Serbe, e mbështetur nga Beogradi zyrtar, vazhdimisht ka kundërshtuar politikat e institucioneve të Kosovës në veri dhe ka akuzuar qeveritë në Prishtinë për cenim të të drejtave të serbëve. Në anën tjetër, autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se veprimet e tyre lidhen me zbatimin e ligjeve dhe shtrirjen e rendit kushtetues në të gjithë territorin.

Të ngjashme