Shefi i arbitrimit në FIFA, Pierluigi Collina, i është përgjigjur ashpër trajnerit të Francës, Didier Deschamps, pasi ky i fundit vuri në pikëpyetje nivelin e arbitrimit në humbjen 2-0 ndaj Spanjës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.
Trajneri i “Les Bleus” u shfaq i zhgënjyer pas eliminimit në Teksas dhe kritikoi punën e arbitrit kryesor, Ivan Barton nga El Salvadori, duke lënë të kuptohet se ai nuk ishte në nivelin e një gjysmëfinaleje të Botërorit.
Pas ndeshjes, Deschamps nuk i kurseu kritikat ndaj arbitrimit, duke u ndalur veçanërisht te penalltia e akorduar për Spanjën në pjesën e parë, të cilën Mikel Oyarzabal e shndërroi në gol pasi Lamine Yamal u vlerësua se ishte penguar nga Lucas Digne.
Duke folur për mediat, trajneri francez u përpoq ta balanconte kritikën e tij me rezultatin e ndeshjes.
“Nëse them diçka, do të dukem si një humbës që ankohet vetëm sepse humbëm. Por ju pyes: a ishte arbitri në nivelin e duhur për të drejtuar një gjysmëfinale? Është penalltia, por nuk është vetëm ajo. Ka edhe shumë gjëra të tjera. Nuk kam asgjë personale me arbitrin, por bëjeni vetë këtë pyetje”, deklaroi 57-vjeçari.
Reagimi i FIFA-s erdhi shumë shpejt.
Pierluigi Collina, ish-arbitri legjendar italian dhe aktualisht drejtues i Departamentit të Arbitrimit në FIFA, mbrojti plotësisht Ivan Bartonin dhe ekipin e tij të arbitrimit.
Ai hodhi poshtë pretendimet se arbitri nuk ishte në nivelin e duhur për një ndeshje të tillë.
“Në përgjigje të komenteve të Didier Deschamps, i cili vuri në dyshim nëse arbitri kishte nivelin për të drejtuar një gjysmëfinale, përgjigjja e FIFA-s është e qartë: ‘Po, absolutisht’”, deklaroi Collina.
Italiani theksoi se procesi i përzgjedhjes së arbitrave për ndeshje të tilla është tepër rigoroz, duke shtuar:
“Arbitrat tanë janë të klasit botëror.”
Pakënaqësia e Deschamps lidhej me disa vendime të diskutueshme gjatë pjesës së parë.
Kontesti kryesor ishte penalltia e akorduar në minutën e 22-të, pasi Lucas Digne ndërhyri ndaj Lamine Yamalit brenda zonës.
Trajneri francez pretendoi se Yamal kishte prekur topin me dorë pak çaste më parë, por vendimi u konfirmua edhe pas rishikimit nga VAR.
Zemërimi i Deschamps u shtua edhe në minutën e 43-të, kur Bartoni anuloi një goditje dënimi shumë të favorshme për Francën pranë zonës së Spanjës, pas një ndërhyrjeje të Fabian Ruiz ndaj Ousmane Dembeles.
Arbitri ndryshoi vendimin e tij pasi u konsultua me ndihmësin, një situatë që Deschamps e cilësoi si të pazakontë, duke theksuar se fillimisht edhe arbitri i katërt dhe i pestë kishin mbështetur vendimin në favor të Francës.
Përtej këtyre episodeve, trajneri francez u ankua për një “grumbullim” vendimesh të pafavorshme gjatë gjithë ndeshjes.
Ai kritikoi gjithashtu tolerancën e arbitrit ndaj lojtarëve të Spanjës, duke pretenduar se disa ndërhyrje të ashpra, përfshirë edhe një ndërhyrje të rrezikshme nga Lamine Yamal, nuk u ndëshkuan me karton të verdhë.