Ka dhënë dorëheqjen presidenti i klubit Lepenci nga Kaçaniku, Jenuz Bela.
Përmes një reagimi nga Facebook, ai ka dhënë disa sqarime për largimin e tij nga klubi.
Postimi i plotë:
Të dashur futbollistë, tifozë, sponsorë, bashkëpunëtorë dhe qytetarë të Kaçanikut,
Sot po shkruaj fjalët më të vështira të jetës sime sportive. Pas dy vjetëve në krye të KF Lepencit, kam vendosur të jap dorëheqjen nga posti i kryetarit të klubit.
Kur mora këtë përgjegjësi, shumë pak besonin se mund të ndryshonim rrjedhën e klubit. Në vitin e parë synimi ynë ishte vetëm mbetja në ligë dhe, falë punës së palodhshme, e arritëm. Në vitin e dytë vendosëm një objektiv që dukej si një ëndërr: rikthimin e KF Lepencit në Ligën e Parë. Pas 13 vjetësh pritjeje, me shumë sakrificë, mund, përkushtim dhe net pa gjumë, e bëmë realitet. Ky do të mbetet një nga momentet më të bukura të jetës sime.
Gjatë këtyre dy vjetëve nuk lash derë biznesi pa trokitur, nuk lashë mundësi pa provuar që KF Lepenci të ecte përpara. Ka pasur ditë të vështira, zhgënjime dhe pengesa, por dashuria për këtë klub më ka dhënë forcë të mos dorëzohem kurrë.
Arsyet e dorëheqjes sime janë të shumta. Mund të flisja gjatë për to, por kam zgjedhur heshtjen. Nuk dua të lë pas urrejtje, përçarje apo fjalë që mund ta dëmtojnë klubin. Harmonia që kemi ndërtuar së bashku vlen më shumë se çdo debat. Për mua, KF Lepenci është mbi çdo individ, dhe kështu duhet të mbetet gjithmonë.
Largohem me zemër të rënduar, por me kokën lart. Largohem krenar që po e lë klubin në Ligën e Parë, aty ku e meriton të jetë. Askush nuk mund të ma marrë krenarinë për atë që arritëm së bashku.
Faleminderit çdo futbollisti që luftoi për fanellën, stafit teknik, sponsorëve që na besuan, tifozëve të jashtëzakonshëm që nuk na lanë vetëm asnjëherë dhe çdo njeriu që dha qoftë edhe kontributin më të vogël për këtë rrugëtim historik.
Ndoshta sot po largohem nga detyra, por nga KF Lepenci nuk do të largohem kurrë. Zemra ime do të rrahë gjithmonë për këto ngjyra dhe për këtë klub. Do të jem gjithmonë pranë tij, si një tifoz besnik, duke i uruar vetëm suksese.
Faleminderit për gjithçka. Zoti e bekoftë KF Lepencin dhe të gjithë ata që e duan këtë klub.
Me respekt dhe mirënjohje,
Jenuz Bela