Ramadani akuzon Haxhiun për fryrje kontratash në IML

Prishtinë | 17 Kor 2026 | 14:43 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka akuzuar ushtruesën e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu për keqpërdorim të buxhetit publik, duke pretenduar se në vitin 2025 janë bërë fryrje të konsiderueshme të kontratave gjatë rinovimit të kulmit të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).

Përmes një reagimi publik, Ramadani ka deklaruar se në projektin, i cili sipas tij nuk është përfunduar, janë evidentuar tejkalime të mëdha të paramasave në disa pozicione të punës. Ai ka pohuar se vlera për furnizimin me pllaka graniti është rritur nga 10,020 euro në 17,578 euro, ndërsa për montimin e knaufit nga 6,000 euro në 25,582 euro, që sipas tij përbën një rritje prej 326 për qind. Sipas Ramadanit, edhe vlera për rrjetin e internetit është rritur nga 2,592 euro në 7,200 euro.

Ai ka theksuar se, vetëm për këto tri pozicione, vlera e kontratës është rritur nga 18,612 euro në 50,360 euro, duke pretenduar se Ministria e Drejtësisë i ka pranuar dhe nënshkruar këto ndryshime.

Ramadani i ka bërë thirrje Haxhiut që të japë sqarime publike dhe para organeve të drejtësisë lidhur me këto pretendime.

Të ngjashme