Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se ka pritur një delegacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin është diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
Sipas saj, së bashku me zëvendësministrin e Mbrojtjes, Gegë Lleshi, kanë mirëpritur delegacionin amerikan të përbërë nga Dustin Edward Plantholt, Fadi Elsalameen, William McClure, Doru Borșan, Riad Bouaziz dhe Lisa Corsa.
Kusari-Lila tha se anëtarët e delegacionit kanë përvojë të gjerë profesionale në fusha të ndryshme, përfshirë teknologjinë, inovacionin, transformimin digjital, biznesin, administratën publike, qeverisjen lokale, sigurimet, turizmin, shëndetësinë, politikën e jashtme dhe çështjet strategjike.
Ajo theksoi se shkëmbimi i përvojave dhe ekspertizës me institucionet dhe bizneset në Kosovë mund të krijojë mundësi të reja për zhvillim, partneritete dhe tërheqjen e investimeve amerikane në këta sektorë dhe fusha të tjera me potencial.
Ministrja në detyrë shtoi se gjatë takimit ka shprehur mirënjohjen institucionale dhe të qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara në procesin e shtetndërtimit dhe zhvillimit demokratik.
Sipas Kusari-Lilës, partneriteti ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së po merr gjithnjë e më shumë një dimension ekonomik, duke u fokusuar në investime, inovacion dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se delegacionit amerikan i janë prezantuar prioritetet e Qeverisë për transformimin e ekonomisë, përmes rritjes së prodhimit vendor, fuqizimit të eksporteve të produkteve “Made in Kosova”, zhvillimit të parqeve industriale dhe teknologjike, mbështetjes së sektorit privat dhe krijimit të një mjedisi më të favorshëm për investitorët e huaj.