Përurohet murali ‘Çast’ në Gjakovë, në nderim të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

Prishtinë | 17 Kor 2026 | 15:22 | Nga Ekonomia Online

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka njoftuar për përurimin e muralit “Çast” në qytetin e Gjakovës, një vepër artistike që i kushtohet kujtesës, nderimit dhe solidaritetit me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Në një postim publik, Jahjaga bëri të ditur se instalacioni artistik “Lulëkuqja e Çastit” tashmë është vendosur edhe pranë lumit Krena në Gjakovë.

Ceremonia e përurimit u mbajt në praninë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, drejtoreshës së UN Women në Kosovë, Vlora Tuzi-Nushi, drejtoreshës së Medica Gjakova, Mirlinda Sada, si dhe aktivisteve dhe qytetarëve.

Sipas Jahjagës, ky mural shënon një moment të rëndësishëm kujtese dhe nderimi për vuajtjet e së kaluarës, duke theksuar se ato përbëjnë pjesë të historisë mbi të cilën është ndërtuar Kosova e pasluftës.

“Një moment kujtese, nderimi dhe historie nga sot u shënua në Gjakovë, për vuajtjet e së kaluarës nga të cilat ka rrënjë historia e re e Kosovës sonë”, shkroi ajo.

Në fund të postimit, Jahjaga falënderoi Komunën e Gjakovës për bashkëpunimin, artisten Mimoza për realizimin e veprës, si dhe të gjithë pjesëmarrësit që iu bashkuan ceremonisë për të nderuar të mbijetuarit.

Të ngjashme