“Armiq të qytetërimit tonë”, SHBA-ja kufizon vizat për “terroristët” e ekstremit të majtë

Prishtinë | 18 Kor 2026 | 15:05 | Nga Ekonomia Online

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka shpallur zyrtarisht një politikë të re për kufizimin e vizave, që synon të ndalojë hyrjen në SHBA të individëve të huaj të lidhur me terrorizmin dhe ekstremizmin e majtë.

Rubio e cilësoi terrorizmin politik të së majtës ekstreme si një kërcënim transnacional në rritje, duke argumentuar se qeveritë perëndimore e kanë anashkaluar këtë rrezik për dekada dhe duhet të rindërtojnë strategjitë e tyre kundër terrorizmit për ta përballuar atë.

Pas takimit me përfaqësues nga 67 vende të botës, të organizuar nga Departamenti i Shtetit, ku temë kryesore ishte rreziku nga ringjallja e terrorizmit politik që buron nga e majta ekstreme, Rubio njoftoi se SHBA ka vendosur kufizime të reja vizash për hyrjen në vend të personave që përfaqësojnë ekstremin e majtë, të cilët ai, por edhe Shtëpia e Bardhë, po i cilësojnë terroristë për shkak të veprimeve të tyre.

“Sot, Departamenti i Shtetit po vendos kufizime të reja vizash për të ndaluar hyrjen në vendin tonë të terroristëve të së majtës ekstreme. Të huajt që financojnë, nxisin ose ndihmojnë terroristët e së majtës ekstreme janë armiq të qytetërimit tonë. Ata nuk janë të mirëpritur në Shtetet e Bashkuara”, njoftoi Rubio në X.

Sipas Departamentit të Shtetit, politika e re mbështetet në Memorandumin Presidencial për Sigurinë Kombëtare nr. 7 dhe është pjesë e përpjekjeve të administratës amerikane për të ndërprerë rrjetet e përfshira në dhunë politike përpara se aktiviteti i tyre të përshkallëzohet në veprimtari kriminale.

Rubio tha se terrorizmi i ekstremit të majtë nuk është një trillim i konservatorëve dhe as një dukuri e re.

“Terrorizmi politik i ekstremit të majtë nuk është një risi moderne e ditëve të fundit. Nuk është një trillim i prodhuar nga politikanë konservatorë. Për pjesën më të madhe të epokës moderne, në fakt, ai ishte forma dominuese e dhunës politike“, tha Rubio.

“Në Gjermani, dhuna e ekstremit të majtë është rritur me më shumë se 40 për qind vetëm gjatë vitit të kaluar“, shtoi ai.

Në takimin ministror të organizuar nga Departamenti i Shtetit mbi ringjalljen e terrorizmit politik morën pjesë edhe ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit. Në mesin e tyre ishte edhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, si dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Frid Hoxha.

Deklarata e plotë e Departamentit të Shtetit:

Grupet terroriste të ekstremit të majtë dhe grupet e lidhura me to shpesh përdorin rrjete të sofistikuara dhe të organizuara për të ushtruar dhunën si mjet politik, duke kërkuar të zbatojnë një vizion politik ekstrem përmes frikësimit dhe fushatave të koordinuara të terrorit. Është një strategji që synon qartë të minojë themelet politike të shoqërive të lira dhe vetëqeverisëse, duke përdorur bombardime, vrasje dhe forma të tjera të terrorizmit për të heshtur fjalën, për të kufizuar opozitën politike, për të ndryshuar rezultatet e politikave dhe për të sabotuar proceset politike.

Sot, në mbështetje të Memorandumit Presidencial për Sigurinë Kombëtare nr. 7 dhe përpjekjeve të vazhdueshme të Qeverisë Amerikane për të ndërprerë rrjetet që nxisin dhunën politike përpara se ato të përshkallëzohen në veprime kriminale, Departamenti i Shtetit po njofton një politikë të re të kufizimit të vizave që synon anëtarët e grupeve terroriste të ekstremit të majtë dhe grupeve të tjera të lidhura me to, të cilët kanë mbështetur ose nxitur akte terrorizmi, kanë mbështetur aktivitet të dhunshëm kriminal, kanë marrë pjesë në sabotim ekonomik, kanë financuar, rekrutuar ose kanë ofruar mbështetje logjistike për veprime të dhunshme ose kriminale të kryera nga grupet terroriste të ekstremit të majtë dhe grupet e tjera të lidhura me to, dhe/ose kanë lehtësuar bashkimin e tyre për qëllime të veprimeve të dhunshme.

Kjo politikë do ta mbrojë atdheun amerikan duke kufizuar hyrjen e shtetasve të huaj që financojnë, rekrutojnë, nxisin ose mundësojnë në çfarëdo mënyre rrjetet terroriste, të dhunshme dhe kriminale të ekstremit të majtë, duke mbyllur rrugët e vizave që këto grupe shfrytëzojnë për të kërcënuar jetën amerikane, për të minuar stabilitetin ekonomik dhe për të koordinuar veprime të dhunshme në territorin amerikan.

Këto veprime po ndërmerren në përputhje me nenin 212(a)(3)(C) të Aktit për Imigracionin dhe Shtetësinë.

Të ngjashme