Paska nisur rrënimi i vilave në pronën e Ibër-Lepencit në Ujman, në veri të Kosovës, një rajon i dominuar nga komuniteti serb. Ky aksion do të ishte për t’u përshëndetur nëse autoritetet e Kosovës, konkretisht qeveria dhe ministria e Ambientit dhe institucione të tjera relevante, të kishin treguar këso përkushtimi edhe në vendbanime të dominuara nga shqiptarët, ku, siç dihet, nuk ka asnjë ndërtim pa leje…
Natyrisht që ka plot objekte ilegale në këto vendbanime shqiptarësh dhe Kosova me siguri i prin listës së vendeve në Europë ku ndërtimet pa leje, ndërtimet skandaloze, ndërtimet vdekjeprurëse, ndërtimet me skema korruptive janë gjëja më e zakonshme. Mbindërtimet qëndrojnë krenare në qiellin e Prishtinës dhe qyteteve të tjera të vendit.
Zaptime të pronës publike ka kudo në Kosovë. Kudo në prona private ndërtohet siç i teket pronarit (në vende të tjera kjo nuk është e lejuar). Pothuaj gjithkund lëshohen leje për ndërtime që shkatërrojnë natyrën. Ndërtohet “fshatra turistike” në periferi të Prishtinës, fusha e pyje mbulohen me vila, pa asnjë kriter. Qytetet e Kosovës hyjnë në mesin e qyteteve më të ndotura në Europë. Ujërat e zeza (që ta kuptoni më mirë: muti e shurra) përfundojnë shpesh në lumenj të shndërruar në deponi bërlloku. Por këto nuk kanë qenë prioritete të qeverive të Kosovës, as të kësaj qeverie.
Më lehtë është që shteti të demonstrojë vendosmëri populliste pranë liqenit të Ujmanit, kështu prodhohen ca tituj medialë që ngrohin zemrat e qyfyr-patriotëve, të cilët vegjetojnë në bërllok dhe gëzohen që pushteti ua “tregoi vendin atyre në veri”.